Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka reaguar për operacionin e policisë shqiptare me atë italiane dhe greke për shkatërrimin e 4 grupeve kriminale që trafikonin emigrantë nga Lindja e Mesme drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Në një postim në mediat sociale, Çuçi shkruan se policia është e angazhuar dhe e vendosur për të goditur me të gjithë forcën e ligjit çdo rrjet kriminal të trafikut të klandestinëve.
“Operacioni ndërkombëtar i Policisë së Shtetit për goditjen e një rrjeti kriminal të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme, me destinacion Italinë e jugut dhe në vijim për në vende të tjera të BE-së, është një tjetër dëshmi e modelit të shkëlqyer të punës së skuadrave të përbashkëta hetimore me vendet e Bashkimit Europian.
Jemi maksimalisht të angazhuar dhe të vendosur për të goditur me të gjithë forcën e ligjit çdo rrjet kriminal të trafikut të klandestinëve. Shqipëria mbron të drejtat e migrantëve dhe refugjatëve, por kurrsesi nuk do të bëhet urë kalimi për grupet që iu rrezikojnë jetën dhe shfrytëzojnë dramën e atyre njerëzve për qëllime fitimi. Vlerësim për punën e Policisë së Shtetit, SPAK, agjencive të tjera ligjzbatuese dhe partnerëve tanë për finalizimin me sukses të këtij operacioni”, shkruan ministri.