Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të autoriteteve shtetërore të Malit të Zi, krahas presidentëve të rajonit, të premten ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri, Jakov Milatoviq.

Teksa e ka uruar homologun e saj për detyrën, Osmani ka potencuar se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë të ndërtuara mbi vlerat e përbashkëta demokratike, besimin e ndërsjellë dhe historinë e lidhjeve të fuqishme të popujve dhe shteteve.

“Përcaktimi i qartë i popullit tonë për të ardhmen tonë të përbashkët euroatlantike nënkupton domosdoshmërinë që të vazhdojmë të ndërtojmë bashkëpunimin tonë të fortë dhe të mbrojmë vlerat që ndajmë dhe për të cilat kemi luftuar shumë për t’i ndërtuar dhe ruajtur”.

“Derisa kontinenti ynë e gjen veten në këtë pikë kritike, është thelbësore që ne të qëndrojmë të bashkuar në përkushtimin dhe rrugën tonë drejt institucioneve euroatlantike”, ka theksuar ajo.