Por kompania novatore e aviacionit, “Rosen Aviation”, po mendon që këtë përvojë ta çojë në një nivel tjetër, duke i hequr fare nga qarkullimi dritaret e avionëve. Kompania amerikane po punon për projektin “Maverick”, sipas të cilit kabina e avionit nuk do të ketë dritare reale, por virtuale.

“Gjithçka lindi nga përpjekja për të futur teknologjitë e së ardhmes”, thotë për CNN Lee Clark, zv.president i kompanisë. Përveç zëvendësimit të dritareve me ekrane të mëdhenj, projekti përfshin komanda pa butona, hologramë dhe një estetikë të hijshme.

Megjithatë, Clark thotë se futja e teknologjive të reja nuk do të bëhet thjesht për të pasur diçka moderne, por për t’u dhënë udhëtarëve përvojën e merituar.

Dritarja virtuale do të pasqyrojë botën jashtë avionit përmes ekraneve OLED, duke i shtuar edhe detaje. Për shembull, nëse avioni po fluturon mbi një vargmal, në ekran do të shfaqen të dhëna mbi të.

Megjithatë, rruga drejt vënies në zbatim të kësaj teknologjie është ende e gjatë. Përveç përmbushjes së detyrimeve të rregullores së Administratës Amerikane të Aviacionit dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror, problem mbetet edhe prezantimi i idesë së një aeroplani pa dritare te personat klaustrofobikë.