Ministri i emëruar i drejtësisë Ulsi Manja, ende pa nisur nga detyra e tij, ka paralajëmruar ndryshime në Kushtetutë, sa i takon zgjatjes së mandatit të organeve të Vetingut në radhët e prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Duke qenë se mandati i KPK dhe Komisionerit Publik është i përcaktuar në Kushtetutë, dhe është 5-vjeçar, Manja tha se në bashkërëndim me SHBA-të dhe BE-në është rëndë dakord zgjatja e afatit të tyre, qoftë edhe duke ndërhyrë në ligjin themeltar të shtetit.

Pavarësisht se tha se këto ndryshime do të bëhen edhe me konsensusin e opozitës, Manja la të kuptohet se nëse PS do të kishte votat një çështje e tillë nuk do të shtrohej për diskutim publik.

Pjesë nga fjala e Ulsi Manjës:

Sa për mandatin e KPK-së që po shkon drejt fundit dua të them se siç u theksua dhe në fjalën e kryeministrit Reforma në Drejtësi do të vazhdojë dhe përgjatë kësaj legjisltarure me prioritet. Po është e vërtetë mandati i organeve të Vetingut është përcaktuar në Kushtetutë, referuar momentit kur KPK dhe Komisioneri Publik kanë filluar punë, mandati i tyre mbaron në 17 Qershor 2022.

Janë 431 subjekte të vetuara, mbeten në proces 370 subjekte. Për të garantuar vijueshmërinë e këtij procesi, ne mendojmë dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me SHBA-të dhe BE-në, që ky proces të përfundohet nga organet e Vetingut.

Ne do të kërkojmë edhe konsensusin e opozitën që mandati i KPK dhe KP të zgjatet deri në përfundimin e vetimit të të gjithë subjekteve. Zgjatja e mandatit kërkon ndryshime në Kushtetutë, ne nuk kemi votat e nevojshme, por do të kërkojmë mirëkuptimin dhe konsensusin e opozitës, si një nga shtyllat kryesore të Reformës në Drejtësi.