Home AKTUALITET EKONOMI Paga minimale nuk garanton një standard jetese. Ekspertët: Të rritet

Paga minimale nuk garanton një standard jetese. Ekspertët: Të rritet

24

Shqipëria është shteti me pagën minimale më të ulët në Europë, sipas të dhënave që raporton Eurostat, duke lënë pas vetëm Kosovën.

Me 30 000 lekë, apo 248 euro, minimumi i të ardhurave bruto për një të punësuar në vend është ndjeshëm larg vendit që vjen pas nesh në renditje, Turqisë, me 328 euro. Ndërsa në rajon ndjekin Maqedonia e Veriut, Serbia, e Mali i Zi, me pagën minimale tek fqinjët veriorë të fiksuar në 532 euro në muaj.

Teksa qeveria ka premtuar ta çojë në 40 000 lekë pagën minimale deri në fund të këtij mandati, sipas ekspertit Fatos Çoçoli, kjo masë duhet marrë sa më herët, duke përfituar edhe nga ritmet aktuale të zhvillimit ekonomik. Sipas Çoçolit, përfitimet nga rritja e pagës minimale tejkalojnë të gjitha kostot e para që mund të hasin bizneset.

Në matjen e pagës minimale, Eurostat përfshin edhe fuqinë blerëse të individëve, pra krahason rrogën me çmimet në tregun e secilit vend, ku rezulton se një shqiptar i paguar minimalisht në vendin tonë është mbi dy herë më i varfër sesa një i punësuar në Turqi, Serbi e Malin e Zi, ku pavarësisht se paga minimale nuk është dyfish, standardi i jetesës është më i lirë.

Me këtë pagë, një shqiptar nuk mund të sigurojë sot ende një nivel jetese më të lartë se të një qytetari tjetër të rajonit përpara 10 vitesh.