Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka është shprehur mbrëmjen e sotme se më 4 dhjetor do të dalin emra e plotë të kandidatëve për kryetarë të 61 bashkiake të vendit. Sipas tij, kandidatët e PD-së së drejtuar nga Berisha do të jenë përfaqësues realë në garë.
I ftuar në emisionin “Drejt”, Paloka ka komentuar dhe kandidatët që po nxjerr grupi i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.
“Më 4 dhjetor do të dalin emra te kandidatëve për kryetarë bashkiakë, ndërsa emrat e këshilltarëve të këshillave do të përzgjidhen nga një proces tjetër, pasi është e vështirë që të bëhen me primare, pasi është shumë i komplikuar. Me datë 4 përmbyllet procesi për përzgjedhjen e kandidaturave.
Në këtë datë mbyllet procesi dhe pritet që të shpallen emrat e tyre. Kandidatët tanë janë kandidatët realë të opozitës, ndërsa ata që po shpall Alibeaj, ata janë përcaktuar dhe do të luajnë rol dëmtues për kandidatët e PD-së. Askush prej tyre nuk mendon që mund të fitojnë zgjedhjet”, tha Edi Paloka.