Mes ovacioneve të shumta të të pranishmëve, Kuvendin Kombëtar të PD-së në stadiumin “Air Albania” e hapi kreu i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, njeriu të cilit ju besuan edhe formularët e firmosur nga delegatët.
Ndërsa bëri një historik të shkurtër sesi demokratët erdhën te ky Kuvend, Paloka tha se është koha që demokratëve dhe shqiptarëve t’u kthehet opozita e vërtetë dhe PD-në ta çojnë drejt fitores.
Paloka: Ne jemi demokratët e rrëbeshit, të tjerët të shkojnë te shampanja. Kjo ditë do hyjë në historinë e PD, demokratëve dhe gjithë shqiptarëve jo thjesht se për herë të parë mblidhet një Kuvend me kërkesë të delegatëve, as thjesht për numrin e pazakonshëm të pjesëmarrësve por për faktin se pas 31 vitesh ne mblidhemi dhe njëherë në përvjetorin e themelimit të PD për ta rithemeluar atë mbi idealet dhe parimet mbi të cilat e ngritëm në dhjetorin e ’90-tës por edhe për ta vendosur në shinat e konservatorizmit. E kam konsideruar veten me fat që në dhjetor të ’90 u bëra pjesë lëvizjes së dhjetorit dhe isha një nga themeluesit të PD. Pas kësaj dite të gjithë ne do të themi me krenari: Unë isha aty ditën kur u rithemelua PD.
Mbi 4200 delegatë kanë firmosur fillimisht për të kërkuar mbledhjen e këtij Kuvendi. Sot numri i firmëtarëve është shumë më i lartë sesa ai i ditëve të para. Kriza e paprecedent ku gjendemi sot si pasojë e dështimeve të njëpasnjëshme për të përmbysur një regjim të korruptuar, armik të demokracisë por mbi të gjitha pozicionimi që kryetari aktual i bëri PD pas 25 prillit jo përballë regjimit por për fat të keq çdo ditë e më shumë në krah të tij duke e kthyer PD në një opozitë fasadë. Kjo është arsyeja pse jemi mbledhur sot këtu për të kuvenduar.Jemi mbledhur për të kthyer shpresën dhe besimin jo vetëm te demokratët por te gjithë shqiptarët që kërkojnë ndryshim.
Opozita e vërtetë, kjo këtu, nuk ka vdekur dhe as nuk ka ulur kokën dhe ca më shumë nuk hyn në pazare me Ramën por është më e gatshme se kurrë për tu përballur me regjimin ashtu si ky regjim e meriton. Ka nga ata që pyesin pse pikërisht tani dhe jo më parë.25 prillin e konsideruam me të drejtë masakër zgjedhur se ashtu ishte por ne e dinim se me Ramën nuk mund të prisnim asgjë tjetër. Të gjithë ne drejtuesit e PD mbajmë përgjegjësi që nuk arritëm të përkthejmë në fitore dëshirën e shqiptarëve për ndryshim.Premtuam se nuk do njohnim 25 prillin por do fillonim betejën më të ashpër ndaj regjimit. Por çfarë ndodhi? Në vend të betejës me Edi Ramën na dhanë luftën mes njëri-tjetrit.
Largimi nga grupi parlamentar i PD i liderit historik Sali Berisha u plasi si “bombë” demokratëve.Akti i 9 shtatorit solli me të drejtë reagimin e demokratëve. Kjo solli përçarje që vazhdon të nxitet dhe provokohet nga zyrat e selisë së PD ku për fat të keq sot drejtojnë personazhe që nuk shqetësohen edhe nëse PD shkatërrohet.
Personazhe të tilla nuk kanë asnjë lidhje me historinë dhe idealet e kësaj partie, nuk mund të përfaqësojnë demokratët. Nuk mund të pranojmë shkatërrimin e PD pse 5-6 vetë kërkojnë të mbahen në një karrige dhe të kapardisen në sallën e parlamentit që sot ngjan më shumë me një sallon mode apo sallë spektaklesh sesa me arenën ku duhet të diskutohen problemet e qytetarëve. Jemi mbledhur tu kthejmë shqiptarëve opozitën e vërtetë dhe të rikthejmë PD te fitorja. Gëzuar përvjetorin e themelimit të PD dhe ditën e parë të rithemelimit të PD.