Autoritetet spanjolle thanë se po mbajnë nën mbikqyrje një rrjedhje të rrezikshme llave në ishullin e La Palma-s, ku prej rreth tre javësh vullkani ka kaluar në gjendje aktive. Shpërthimi u shkaktua nga një kolaps i pjesshëm i konit pranë kanalit të emetimit të vullkanit.

Instituti Gjeologjik Kombëtar i Spanjës (ING) tha se së fundmi janë ndjerë 21 lëvizje sizmike, më e madhja 3.8 e shkallës Rihter, e cila shkaktoi dridhje toke në fshatrat e Mazo, Fuencaliente dhe El Paso.

Ky Institut publikoi pamje nga rrjedhjet e llavës, blloqet gjigante të së cilës rrokulliseshin poshtë kodrave.

Në një video të postuar në Twitter, blloqet e saj shihen duke pluskuar në një lumë të tërë llave dhe duke lëvizur me një shpejtësi marramendëse.

Instituti Vullkanik i Ishujve Kanarie raportoi se rrjedhja e llavës, që arriti temperaturën deri në 1240 gradë Celsius, shkatërroi ndërtesat e pakta që kishin mbijetuar deri tani në fshatin Todoque.