Në orët e vona të së enjtes është gjetur trupi i një personi te dekompozuar, i seksit mashkull. Trupi i pajetë është gjetur në brigjet e lumit Seman në fshati Arapaj në Roskovec.

Trupi i dekompozuar është gjetur nga dy peshkatarë të cilët sapo kanë pikasur kufomën kanë njoftuar policinë.

Këta të fundit kanë kërkuar ndihmën e repartit zjarrfikës Roskovec që kanë bërë të mundur edhe nxjerrjen e trupit nga uji.

Trupi i përket një mashkulli, në moshë të re, por për shkak të qëndrimit në ujë është i vështirë identifikimi.

Nga ana e policisë po punohet për identifikimin e kufomës, dhe nëse ka qenë apo jo në listën e personave të shpallur të humbur gjatë kësaj periudhe.

Njoftimi i policisë:

Më datë 04.08.2022, në fshatin Arapaj, në lumin Seman, është gjetur një trup i pajetë, ende i paidentifikuar, i seksit mashkull, i dekompozuar. Po punohet për identifikimin e kufomës dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.