Pasojat e zbutura të pandemisë mbi aktivitetin ekonomik i dedikohen edhe paketës së masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë.

Gjatë takimit të mbajtur dje me Bordin Drejtues të Shoqatës së Bankave, Guvernatori Gent Sejko vlerësoi sektorin bankar në veçanti për reagimin e duhur ndaj goditjes së pandemisë, i cili vijoi pa asnjë ndërprerje aktivitetin, duke financuar bizneset dhe familjet. Sejko vuri në dukje se gjatë pandemisë, bankat kanë shfaqur angazhim maksimal dhe vullnet të mirë për të kontribuuar në krijimin e lehtësive lidhur me masat e marra nga Banka e Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare, si dhe luajtën një rol aktiv deri në kapërcimin e plotë të situatës.

TAKIMI

Në fokus të takimit të djeshëm, të zhvilluar në ambientet e Bankës së Shqipërisë ishte intensifikimi i dialogut dhe bashkëpunimit për çështje të lidhura veçanërisht me zhvillimet në sistemin financiar e bankar gjatë situatës së krijuar nga pandemia COVID-19. Pjesëmarrësit vlerësuan se sistemi bankar në vend mbetet solid dhe me tregues shumë të mirë të shëndetit financiar, i gatshëm për të dhënë gjithë kontributin e nevojshëm për rimëkëmbjen ekonomike.

Ata diskutuan gjithashtu mbi rritjen e përpjekjeve të koordinuara dhe të ndërveprimit institucional, në kuadër të nxitjes së kreditimit të ekonomisë, përmes identifikimit të investimeve potenciale, me synim rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik të vendit dhe rritjes së kontributit të bankave në të. Në vijim, takimi u fokusua në iniciativat e vazhdueshme të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, për të zhvilluar më tej tregun financiar dhe rritur transparencën në mbrojtje të interesave të publikut, duke përmirësuar kuadrin rregullativ në industrinë bankare, me fokus kredidhënien dhe transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare. Konsultimi i vazhdueshëm dypalësh ka qenë gjithmonë pozitiv dhe i orientuar drejt forcimit të praktikave më të mira.

SISTEMI I PAGESAVE

Bisedimet u përqendruan edhe te modernizimi i mëtejshëm i sistemit të pagesave, i cili luan një rol mjaft të rëndësishëm si në edukimin dhe përfshirjen financiare të popullsisë, ashtu dhe në rritjen e formalizmit të mëtejshëm të ekonomisë, duke shërbyer njëkohësisht edhe si një masë shtesë në drejtim të parandalimit të pastrimit të parave. Të dyja palët shprehën angazhimin e plotë për vijimin e bashkëpunimit të ndërsjellë institucional, si dhe me autoritetet qendrore dhe vendore, në funksion të një sektori bankar sa më të shëndetshëm dhe mbështetës të zhvillimit ekonomik të vendit.

panorama