Pandemia Covid-19 ka shkaktuar nivele të larta të “dembelizmit” në të gjithë vendin.

Personat në moshë pune që nuk po kërkojnë një punë u rritën me ritme të larta gjatë pandemisë, por edhe pas kalimit të valës së dytë, fenomeni mbeti i lartë sidomos në qytetet e Tiranës, Dibrës dhe Lezhës, raportoi INSTAT, ndërsa në disa qarqe si Gjirokastra dhe Korça, shkalla e riaktivitetit u rrit më tej pas karantinës.

Qyteti i Lezhës u rendit i pari për nivelin e lartë të inaktivitetit të popullsisë në moshë pune në tremujorin e dytë të vitit. INSTAT raportoi se 55% e popullsisë në moshë pune nuk janë në kërkim të punës në tremujorin e dytë të vitit 2021, ky tregues ishte 60% në të njëjtën periudhë të vitit 2020, dhe 45.7% në vitin 2019 (Popullsia jo-ekonomikisht aktive përfshin të gjithë personat të cilët nuk janë klasifikuar si të punësuar ose të papunë – pra, nxënës/studentë, shtëpiakë, në pension, të paaftë, të papunë të dekurajuar).

Pas Lezhës, Dibra rendit e dyta për nivelin e lartë të inaktivitetit me 51% të popullsisë në moshë pune. Inaktiviteti në Dibër gjatë këtij viti rezultoi më i lartë se gjatë pandemisë ku u raportuan 50.2% e popullsisë në moshë pune inaktive.

Tirana vjen e treta në renditje për nivelin e lartë të inaktivitetit, me 44% të popullsisë në moshe punë që nuk po kërkon punë, nivel i njëjtë tremujorin e dytë 2020, ku ishte kulmi i masave kufizuese.

Në anën tjetër, Gjirokastra është qarku me nivelin më të ulët të inaktivitetit me vetëm 29,9% të popullsisë në moshe pune me rritje gati dy pikë në krahasim me periudhën e karantinës ku popullsia inaktive ishte 27.8%.