Kompania Nike, u ka dhënë punonjësve të zyrave qendrore në SHBA një javë pushim, në mënyrë që të përmirësojnë shëndetin mendor, nga presionet e vazhdueshme si pasojë e pandemisë Covid-19.
Marka e veshjeve sportive bëri me dije se punonjësit në selinë e saj në Oregon do të pushonin deri të premten, me udhëheqësit e lartë që inkurajonin stafin, që të ”injoronin” të gjitha përgjegjësitë e punës për të ndihmuar shëndetin e tyre mendor, shkruan The Guardian.
“Merrni kohë për t’u çlodhur, dhe për të kaluar kohë me të dashurit tuaj. Mos punoni,” tha menaxheri i Nike për marketingun, Matt Marrazzo, në një mesazh të hapur për stafin e postuar në platformën sociale, LinkedIn.
Ai pranoi se “ky vit i kaluar ishte i vrazhdë”, duke shtuar se stafi ka nevojë për pushime për shkak të rritjes së stresit, nga pandemia e koronavirusit.
Ky vendim, e vendos Nike në mesin e një numri në rritje të bizneseve që ofrojnë kohë shtesë, ose lëshime rreth përgjegjësive të punës, në mënyrë që punonjësit e tyre të mos ndikohen nga stresi i tepërt, çka mund të ndikojnë në performancën e tyre në punë.