River William Stone nuk ia doli. Nipi i Sharon Stone vdiq pasi gjendja e tij ishte përkeqësuar në orët e fundit. Ai do të mbushte një vjeç, më 8 shtator.

Ditët e fundit, aktorja kishte treguar historinë e tij duke i ftuar të gjithë të luteshin për të. Stone, e cila ishte në Venecia duke xhiruar një reklamë për Dolce & Gabbana, u kthye dje në Shtetet e Bashkuara sepse situata ishte përkeqësuar.

Aktorja ditët e fundit kishte postuar një fotografi të fëmijës së intubuar në Instagram duke treguar dramën që po përjetonte, për të dhënë lajmin e vdekjes me një postim tjetër; një video të vogëlushit që luante i lumtur.

Djali i Patrick Stone, vëllai më i vogël i Sharon, ishte në gjendje të rëndë ditët e fundit dhe u transferua në urgjencë. Ai u diagnostikua me “mosfunksionim total të organeve”. Një gjendje dëshpëruese nga e cila ai nuk mund të shërohej.