Rajoni lindor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u përshkuan nga një stuhi e madhe bore, duke shkaktuar gjendje të jashtëzakonshme në disa shtete.

Deri 60 centimetra dëborë regjistruan të martën shtetet e Nju-Jorkut, Nju-Xhersit dhe Pensilvania.

Kushtet parashikohet se do të vazhdojnë po njësoj për disa ditë, ndërsa qytetarët po e shfrytëzojnë kohën për lojëra me fëmijët apo për shëtitje.

“Sot isha pushim dhe thashë të kënaqem pak me borën. Edhe qeni im po e kalon mirë, besoj.”

“E sotmja është ditë e mrekuellueshme. Rrallë kemi borë të tillë në Nju-Jork-Siti dhe Parku Qendror është ndër vendet më të bukura në botë për ta shijuar.”

“Nuk mbaj mend shumë ditë si këto në Nju-Jork, prandaj përfituam nga rasti për një shëtitje romantike. Parku është i qetë dhe thjesht magjik.”

Por me gjithë gëzimin qytetar, bora e dendur ka krijuar probleme në kohën kur vendit i duhet të përballet me një sfidë edhe më të madhe siç është pandemia.

Autoritetet njujorkeze informuan se kanë mbyllur disa qendra vaksinimi kundër koronavirusit dhe po hasin vështirësi në transportimin e dozave me automjet apo me avionë.

Në Nju-Jork dhe në 44 provinca më të vogla është shpallur gjendja e jashtëzakonshme dhe të moshuarit janë udhëzuar të mos dalin jashtë, ndërsa në Nju-Xhersi, guvernatori nxori urdhër për trenat dhe autobusët, për mbylljen e rrugëve dhe për evakuimin e banorëve të rrezikuar.

Ora news