Paraqiti të dhëna të rreme për të favorizuar Viktor

Policia e Shtetit ka vënë në pranga ish-Shefi i Sektorit Ligjor të IEVP-së Peqin, Gani Shehu. Arrestimi i tij erdhi pas hetimeve të SPAK dhe policisë.

Gjithçka ka marrë shkas nga procedimi penal ndaj shtetasit Viktor Ymerit, i arrestuar në 2020 për dy vrasje mjaft të bujshme, atë të biznesmenit Vajdin Lame dhe Klodian Saliu, fill pasi i shpëtoi burgimit të përjetshëm.

Ymeri konsiderohej si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës, i njohuri me nofkën Gaxhai, me të cilin ekzekutoi me kallashnikov, Arben Pajën dhe Ilir Xhungën.

Shehu akuzohet nga SPAK se ka paraqitur të dhëna të rreme për të lehtësuar pozitën e Ymerit.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka në hetim procedimin penal nr.252 të vitit 2020, për veprat penale të parashikuara nga nenet 79/dh, 78, 278, 333/a, 334 etj. të Kodit Penal. Në kuadër të këtij procedimi penal po hetohet shtetasi V.B(I). Gjatë shqyrtimit të kërkesës së të arrestuarit V.B.(I), me objekt revokim/zëvendësim të masës së sigurimit nga ana e mbrojtjes së të hetuarit, u paraqit si provë një shkresë me lëndë: “Kthim përgjigje” e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Peqin e datës 14.01.2021.Duke marrë shkas nga përmbajtja e kësaj shkrese, Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kreu hetime të thelluara në drejtim të vërtetësisë së të dhënave të pasqyruara”.

Pas kryerjes së shumë veprimeve hetimore, u krijua dyshimi i arsyeshëm se, në shkresën e datës 14.01.2021 të nxjerrë nga IEVP, Peqin, paraqiteshin të dhëna të rreme të cilat shkonin në drejtim të lehtësimit të pozitës së të hetuarit V.B.(I).

Gjithashtu, nga provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit krijohet dyshimi i arsyeshëm se, personi që ka përgatitur këtë shkresë në të cilën janë pasqyruar të dhëna të rreme,  është ish – Shefi i Sektorit Ligjor të IEVP – së Peqin, G.Sh.

“Në vijim, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.95 datë 10.11.2021 ka caktuar ndaj shtetasit G.Sh. masën e sigurimit: “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, nga personi që ka për detyrë t’i lëshojë ato, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal.Kjo masë sigurimi u ekzekutua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në datën 11.11.2021”.