Rreth një milion fëmijë afganë parashikohet të vuajnë nga kequshqyerja akute gjatë këtij viti dhe mund të vdesin pa trajtim, paralajmëroi OKB të hënën.
Në një deklaratë, Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF, Henrietta Fore tha se rreth 10 milionë fëmijë në të gjithë Afganistanin kanë nevojë për ndihmë humanitare për të mbijetuar.
Sipas mediave të huaja, ajo shtoi se rreth 4.2 milion fëmijë në Afganistan janë jashtë shkolle, përfshirë më shumë se 2.2 milion vajza. Deklarata tha se afërsisht 435,000 fëmijë dhe gra në vendin e shkatërruar nga lufta, ku talebanët kanë marrë pushtetin, janë të zhvendosur brenda vendit.
“Ky është realiteti i zymtë me të cilin përballen fëmijët afganë dhe mbetet i tillë pavarësisht nga zhvillimet e vazhdueshme politike dhe ndryshimet në qeveri,” tha Fore.
Duke i nxitur talebanët dhe palët e tjera që të sigurojnë sigurinë, agjencia e Kombeve të Bashkuara përgjegjëse për ofrimin e ndihmës humanitare dhe zhvillimore për fëmijët në mbarë botën bëri thirrje për një “qasje në kohë dhe të pakufizuar për të arritur fëmijët në nevojë kudo që janë”.
Edhe pse shumë njerëz kanë frikë nga ndëshkimi dhe po përpiqen të largohen nga vendi, talebanët kanë siguruar sigurinë e misioneve të huaja, organizatave ndërkombëtare dhe agjencive të ndihmës.
“Dua t’ju siguroj se ne nuk do të lejojmë askënd të bëjë asgjë kundër jush,” tha zëdhënësi Zabihullah Mujahid në konferencën e parë për shtyp të grupit që nga marrja e kontrollit mbi Afganistanin më 15 gusht.