Zemra e Gjirokastrës do të kthehet në një hapësirë këmbësore brenda të cilës garantohet parkimi i 300 mjeteve dhe hyrja në hapësirën tjetër këmbësore lirisht.

Kështu theksoi sot Kryeministri Edi Rama gjatë inspektimit të nisjes së ndërtimit të parkimit me tre kate në Gjirokastër ku shoqërohej nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi.

Kryeministri Rama tha se “për të gjithë ata që i shikojnë këto gjëra e thonë pse tani, duhet sqaruar një gjë;  veprat publike nuk fillojnë kur shfaqen ekskavatorët, por kur i ideon pasi ideohet bëhet konceptimi i përmbajtjes së tyre pastaj sigurohet financimi, fillon procedurat për garën e projektit të zbatimit, pastaj lidhet kontratat dhe fillon puna”.

“Kjo është një punë që ne bashkë me kryetarin e bashkisë dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit e kemi nisur konkretisht prej pothuajse dy vjetësh, është diçka që unë e kam pasur fiksim me kohë e me vakt shumë vite më parë kur shikoja zemrën e Gjirokastrës si një parkim. Me një asfalt ordiner e me gropa e shtresa, pasi mbingarkesa e mjeteve ishte e madhe. Është e pamundur që të hysh në një qytet që është pjesë e trashëgimisë kulturore botërore  dhe gjëja e parë me të cilën ndeshesh është një parkim dhe vështirësia për të lëvizur”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “parkimi nga njëra anë dhe by-pass nga ana tjetër bëjnë që qendra e e zonës historike të jetë e garantuar nga pikëpamja e lëvizjes së lirë të bizneseve. Janë 106 biznese të reja të regjistruara brenda kësaj periudhe të rilindjes urbane. Është një tjetër mësim për ata që flasin për fasada, por rilindja urbane nuk është një projekt fasadash, por është projekt ekonomik”.

“Gjirokastra kishte hotelin e kohës së shokut Enver, ndërsa sot janë mbi 700 shtretër në qendrën e zonës historike”, – shtoi Rama.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi tha se “parkimi që po ndërtohet në sheshin “Çerçizi” është një premtim i mbajtur dhe problem i kahershëm i Gjirokastrës”.

“Edhe pse kemi qenë në vit të vështirë për shkak të pandemisë kemi pasur turistë sidomos në fundjavë turistët e vendit. Parkimi është bërë me tre kate për 300 automjete, ndërsa autobusat do parkohen më poshtë”, – tha Golemi.

Ministri Çuçi tha se “më në fund ky shesh do të marrë rëndësinë që i takon. Ka qenë i pushtuar nga jetët ashtu si ka qenë edhe qafa e Pazarit”. Zona këmbësore do të zgjerohet dhe do të fillojë që nga konsullata dhe padyshim lehtësimi më i madh është parkimi me 300 vende”.

/k.s/