Tirana është matematikisht kampione e Shqipërisë për edicionin futbollistik 2021-2022 në Abissnet Superiore.
Bardheblutë mundën me përmbysje 2-1 rivalët e përjetshëm të Partizanit, në një ndeshje të jashtëzakonshme me raste e gola fantastikë në “Elbasan Arena”.
Titulli i 26-të për Tiranën, që feston të dytin kampionat në tre vitet e fundit, por edhe hakmarrjen ndaj Partizanit, që vetëm 3 sezone më parë fitoi titullin pikërisht në derbin e fundit të sezonit.
Realizimi i Seferit në pjesën e parë dhe supergoli i Totres në fillimin e të dytës, zhvlerësuan realizimin e jashtëzakonshme të Skukës, për t’i dhënë të parin titull si trajner edhe Orges Shehit, i cili futet në librin e artë të kampionëve.
Nuk mungon as spektakli i tifozëve, të cilët për shkak të ndezjes së mjeteve piroteknike sollën ndërprerjen e ndeshjes për disa minuta.
Vërshëllima e trefishtë e Eldorian Hamitit kishte melodinë e titullit për Tiranën, që veshi derbin me ngjyrat bardheblu, por mbi të gjitha kurorëzoi sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme.
Festa legjitime e 26-herë kampionëve, me tifozët që në fund së bashku me lojtarët ndezën festën e shfrenuar, në një ndeshje që vlen më shumë se 90 minuta.