Partizani dhe Teuta e mbyllën në paqe sfidën mes tyre teksa në Elbasan Arena dolën nga fusha e lojës me barazimin 0-0 duke humbur shansin që t’i bashkangjiten Vllaznisë në krye të renditjes.

Në këtë përballje u duk se të dyja skuadrat kishin më shumë frikë të humbisnin sesa donin të fitonin duke mos bërë shumë për të marrë 3 pikët.  Vllaznia rikthehet te fitorja në kategorinë Superiore pas 5 ndeshjeve dhe është sërish e vetme në vendin e parë. skuadra shkodrane mundi jo pa vështirësi skuadrën e Kastriotit me rezultatin e ngushtë 1-0 në një sfidë që u mbyll mes tensionesh mes lojtarëve të të dyja skuadrave.

Heroi për skuadrën e Brdariç u bë Ardit Hoxhaj që shënoi golin e fitores pikërisht në minutat e fundit të sfidës kur të gjithë po mendonin se kjo ndeshje po mbyllej me barazimin 0-0. Një favor Vllaznia e mori edhe nga Tirana që mundi Laçin në Kurbin me rezultatin 2-1 me bardheblutë që pas kësaj fitore ngjiten në kuotën e 38 pikëve. Tirana zhbllokoi rezultatin në minutën e 24 me Celhakën, por Laçi arriti të barazojë në minutat e fundit të pjesës së parë me Mazrekaj që ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje këndi teksa e dërgoi topin drejt e në rrjetën e Ilion Likës.

Në pjesën e dytë Ismailgeci riktheu Tiranën në avantazh teksa shënoi golin që e çoi rezultatin në 2-1 për skuadrën e tij, rezultat që mbeti i tillë deri në fund të 90 minutëshit. Fitore të rëndësishme shënoi edhe Bylis që kërkon mbijetesën në Superiore, në Ballsh, skuadra mallakastriote mundi Kukësin 2-1.

Ndreca i dha avantazhin Bylisit në minutën e 14. Po ky futbollist në fundin e pjesës së parë shënoi edhe golin e dytë për Bylisin. Kukësi shkurtoi diferencën e golave me Kurdiç, por pa mundur të evitojë dot disfatën. në ndeshjen tjetër të kësaj jave të Superiores, Skënderbeu fitoi duelin e mbijetesës me Apoloninë në Fier 2-1 duke zbritur skuadrën fierake në vendin e fundit

Top Channel