Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Shtetet e Bashkuara, në Perry County të Pennsylvanias.

Një fëmijë 11-vjeçar dyshohet se ka qëlluar për vdekje të atin e tij.

Sipas mediave amerikane, ngjarja ka ndodhur pasi babai, Douglas Dietz, 42 vjeç, i kishte konfiskuar të birit levën e videolojërave Nintendo Switch. Policia u njoftua gjatë orëve të natës dhe, pas mbërritjes në banesë, gjeti 42-vjeçarin pa shenja jete në shtratin e tij.

Bashkëshortja e viktimës, e cila ndodhej në gjumë në momentin e ngjarjes, u zgjua nga një zhurmë e fortë dhe u përpoq të zgjonte bashkëshortin. Më pas, ajo kuptoi se diçka e rëndë kishte ndodhur dhe njoftoi autoritetet.

Sipas hetimeve paraprake, fëmija kishte arritur të gjente çelësat e vendit ku mbahej arma e zjarrit, ndërsa kërkonte levën e konfiskuar. Ai dyshohet se e ka marrë armën dhe ka qëlluar të atin.

11-vjeçari ndodhet aktualisht në paraburgim policor, ndërsa autoritetet kanë refuzuar lirimin e tij me kusht. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.