Elbasani  kërkon qetësi” me këtë moto gratë e Elbasanit marshuan në mënyrë të heshtur duke kërkuar paqe dhe qetësi për familjet e tyre.

Duke iu referuar ndodhisë së 14 Marsit, ato marshuan në mënyrë të heshtur me mendimin se ndonjëherë gjestet flasin më shumë se fjalët.

Me libra dhe lule në duar gratë e Elbasanit zhvilluan një marshim të heshtur, i cili nisi nga stadiumi “Elbasan Arena “ për tu mbyllur në qendër të qytetit.

Sikurse duket në pamje një numër i konsiderueshëm femrash të grup-moshave të ndryshme u bënë bashkë.

Duke marrë shkasë nga ngjarja e rëndë e 14 marsit ku u regjistruan episode dhune, duke cenuar edhe festën tradicionale të “Ditës së verës” këto gra kërkuan siguri për familjet e tyre.

Në ndalesën e tyre femrat e pranishme krijuan një rreth në mënyrë simbolike, më qëllimin se zëri i tyre do të dëgjohet më shumë.

Në prononcimin  për mediet njëzëri kërkuan qetësi dhe paqe jo armiqësi.

Reagimi i grave të Elbasanit gjeti mbështetjen edhe të kandidateve femra të partisë Demokratike, pasi sikurse deklaruan jashtë kamerës këto të fundit edhe  ato janë nëna, motra dhe bashkëshorte.