Pas takimit që pati me ambasadoren Yuri Kim dhe Taulant Ballën, kreu i grupit parlamentar demokrat Alfred Rushaj prezantoi në Këshillin e Legjislacionit 3 propozimet e PD sa i përket ndryshimeve kushtetuese.
Kryetari i grupit parlamentar të PD, Alfred Rushaj, deklaroi se pastrimi i politikës nga zyrtarët e lartë dhe politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin i shërben një qeverisje më të mirë për qytetarët dhe i jep fund modelit të pandëshkueshmërisë. Duke prezantuar vetingun e politikanëve në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjilacionit, zoti Rushaj tha se ka ardhur koha që politikanët të trajtohen nga ligji njësoj si gjyqtarët, prokruorët dhe policët, të cilët kalojnë procesin e vetingut për ligjshëmrinë e pasurisë dhë kontakteve të papërshtatshme me krimin.
“Dekriminalizimi i plotë dhe zbatimi i të njëjtave norma të vetting-ut për vlerësimin e lidhjeve me krimin e organizuar, dhe ligjshmërinë e pasurisë, duhet të zbatohet edhe ndaj zyrtarëve të lartë publikë, ku përfshihen deputetët, Kryeministri, ministrat, kryebashkiakët dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese. Kjo garanton parimin e barazisë përpara ligjit, dhe përbën një premisë për një qeverisje të pandikuar nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, duke pastruar nga rradhët e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, individë të lidhur me krimin e organizuar dhe të korruptuar. “- u shpreh zoti Rushaj.
Për të treguar rëndësinë jetike të vetingut në politikë, kreu i grupit parlamentar të PD-së iu referua simbolit të luftës së shtetit ndaj mafias, Paolo Borsellino. “Ekziston një keqkuptim bazë sipas të cilit politikani që shoqërohet me mafiozë, nëse nuk dënohet nga gjykata, është i ndershëm! JO! Gjykata mund të bëjë vetëm vlerësime të natyrës gjyqësore. Është detyrë e institucioneve që TË FLAKIN politikanët e afërt me Mafian, për të qenë të ndershme dhe për t’u shfaqur si të tilla”- ishin fjalët e Borsellinos të zgjedhura nga zoti Rushaj si mesazh se vetingu i politikanëve duhet pranuar nga PS.