Për policinë dhe prokurorinë e Tiranës, vdekja e të riut Leart Kurti nuk ka asnjë dyshim tjetër që mund të ketë ndodhur nga rrethana të tjera, veç prezencës së kokainës në stomak.
Lidhur me këtë ngjarje të shënuar rreth orës 23:07 minuta në rrugën “Don Bosko”, janë marrë në pyetje punonjësit e policisë së komisariatir Nr.3 në Tiranë, mes të cilëve dhe polici 21-vjeçar që bëri ndalimin e Kurtit.Për shkak të gjëndjes së rëndë të Leart Kurtit, në spital ka përfunduar dhe punonjësi i policisë që ka bërë arrestimin e tij. Polici pasi është njohur me gjëndjen jo të mirë të Kurtit dhe humbjes së jetës në spital, ka pësuar shok psikologjik duke bërë që të humbte për një moment ndjenjat.
Kurti nuk ka dashur të zbriste nga makina duke kapur me forcë sediljet e mjetit. Gjëndja e Kurtit, thonë policët është përkeqësuar duke humbur ndjenjat dhe i ka ikur gjuha brenda.
Policët kanë bërë përpjekje për nxjerrjen e gjuhës dhe gjatë këtij procesi kanë çarë me duar bluzën e Leart Kurtit. Kurti është lënë disa minuta në dhomën e shoqërimit por më pas gjendja e tij shëndetësore u përshkallëzua ndjeshëm.
Polica ka njoftuar ambulancën, por për shkak se urgjenca po vonohej Kurti është transportuar me makinë policie drejt spitalit ushtarak.
Policët që bënë transportimin e tij në spital kanë treguar se Kurti ishte i gjallë, ndërsa bluzat e bardha kanë treguar se ai ka qenë i pajetë. Për të hedhur dritë në këtë pjesë prokuroria e Tiranës, ka kërkuar hetimet për “Mosdhënia e ndihmës mjekësore” dhe “Kryerje të veprimeve arbitrare”.
Ndërsa ambulanca, që ka shkuar në komisariat ka marrë prej andej dhe transportuar drejt spitalit edhe policin 21-vjeçar që bëri arrestimin e Leart Kurtit, i cili ka humbur ndjenjat.
Ora news