Debatin që ka nisur në gjirin e Partisë Demokratike lidhur me vendimin e Lulzim Bashës për të përjashtuar Sali Berishën, ish-nënkryetari Astrit Patozi, e sheh si një betejë që veçse do ta dëmtojë PD-në. Në studion e MCN TV, Patozi tha se të dy palët nuk kanë të drejtë dhe as nuk kanë asnjë lidhje me parimet.

Beteja do të përfundojë kur të vritet i pari. Sa më shumë ashpërsohet retorika, aq më shumë shohim dy kampe të ndara. Të dy palët sa më shumë e thellojnë krizën, aq më shumë zgjojnë neverinë e publikut racional. Të dy palët nuk kanë asnjë lidhje me parimet. Sa më shumë kacafyten, aq më shumë kuptojmë pse PD nuk i fiton zgjedhjet.

Patozi e krahasoi kthesën e Berishës pas përjashtimin me ndryshimin e raporteve mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut.  

Berisha ka të drejtë që kërkon të dëgjohet. Por është njëkohësisht edhe një qasje staliniste. Ai e ka cilësuar poliagjent Lulzim Bashën. Në vitin ’81, Hoxha e cilësoi poliagjent Mehmet Shehun. Ai e bëri në kushtet e diktaturës, Berisha po e bën në kushtet e lirisë. Është një dogmë arkaike. Të dy palët nuk dinë ku të kapen.

Sipas Patozit, beteja e re në gjirin e PD-së tregon pse partia i ka humbur disa herë zgjedhjet.  

Kjo betejë ka vetëm një vlerë, të kuptohet që ky nuk është modeli që duhet dhe e çon PD drejt një rimëkëmbjeje. Si mund të kenë sukses këta. Ishin të gjithë bashkë dhe u mundën të dy.