Ministri i Mbrojtjes ka paralajmëruar 30%rritje page në radhët e ushtarakëve gjatë vitit të ardhshëm nga gjenerali deri te ushtari më i fundit. Ai tha se edukimi ushtarak është prioritet duke theksuar se Shqipëria do të ndjekë modelin e “West Point” në SHBA. Ai tha se në lidhje me këtë në vendin tonë ka ardhur edhe një ekspert nga SHBA.

“Duke filluar nga ushtari i parë deri te gjenerali paga do të rritet deri në 30% për t’u bërë më dinjitoze. Kjo do na bëjë më të motivuar për të gjitha llojet e operacioneve. Së dyti modernizimi i forcave të armatosura janë planifikuar për vitin 2022. Në këtë buxhet janë projektet infrastrukturore lidhëse. Projekti më i rëndësishëm është ndërtimi i bazës taktike të Kuçovës. Ne duhet të bëjmë më shumë se 10%. Është parashikuar buxheti dhe jemi në prag të fillimit të punës për ndërtimin e perimetrit të sigurisë.

Edukimi ushtarak është prioritet për ne. Kemi zhvilluar një vizitë në West Point me kryeministrin Edi Rama dhe synojnë të modelojmë akademinë tonë sipas modelit të West Point. Synojmë të hapim programe të tjera siç janë teknologjitë e informacionit dhe navigacioni detar. Janë dy bachelorë të rinj.

Para pak ditësh ka ardhur një ekspert nga Nju Xhersi. Sa i përket implikimeve buxhetore, akademia nuk ka një kampus të vetin dinjitoz. Planifikojmë të ndërtojmë një kampus të ri. Një korpus klasash, një fjetore dhe më pak do hartojmë një masterplan 10-vjeçar sipas modelit të West Pointit.

Kemi arritur të kemi studentë nga vende të ndryshme të NATO-s, Gjermania, Anglia, edhe Gjeorgjia. Është një kurs në anglisht, ndërkombëtar. Bashkë me kurset e tjera synojmë të krijojmë një kolegj rajonal. Jam takuar me homologët në rajon dhe jashtë tij për të ekonomizuar burimet tona të mbrojtjes. Që në rast se Shqipëria fokusohet në shkollim, Kosova mund të përqendrohet në drejtime të tjera. Duam të marrim avantazhet tona në këtë koncept të ri”, tha Peleshi.