Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe deputeti demokrat Ferdinand Xhaferaj kanë replikuar në Komisionin e Sigurisë për Emergjencat Civile në lidhje me gatishmërinë e helikopterëve që ka sot në dispozicion dikasteri i mbrojtjes.

Gjatë fjalës së tij Xhaferaj foli me raste konkrete për modelet e helikopterëve duke theksuar se që nga viti 2019 gatishmëria e tyre ka qenë shumë e ulët.

“Ministria prishi marrëveshjen me kompaninë Airbass. Gjendja e gatishmërisë së helikopterëve pas vitit 2019 është shumë e ulët. Nga katër Cougar në gatishmëri ka qenë vetëm 1, sot nuk është asnjë. Nga 2 EC 135 asnjë në gatishmëri për dy vite. Pa folur për modelet e tjera që kanë katër vite pa shërbime. Helikopteri EC135. Kjo është panoramë e gatishmërisë së mjeteve ajrore. Gjatë tre viteve të fundit gatishmëria e flotës ajrore. NATO dhuroi tre kova në vitin 2019 por helikopterët nuk punojnë”, tha ai.

Për ministrin e Mbrojtjes të dhënat që citoi Xhaferaj janë informacion i klasifikuar. Ai kërkoi të ndërhynte menjëherë duke e akuzuar deputetin demokrat për konsumim të veprës së nxjerrjes së informacioneve që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare.

“Ju e përdorët kostumin e deputetit. Pozicionin e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë. E përdorët me shumë arrogancë. Shkelët ligjin për informacionin e klasifikuar në mënyrë arrogante. Ndonëse unë iua rikujtova që në fillim. Jo se donin të fshihnim ndonjë gjë. Por të shkelësh ligjin këtu ku bëhen ligjet për informacionet e klasifikuara. Shkelët ligjin për informacionin e klasifikuar dhe unë iua rikujtova këtë gjë se kishim gjë për të fshehur.

Të shkelësh ligjin për informacionin e klasifikuar për sigurinë kombëtare. Të bësh të njohura kapacitete me dobësi për forcat e armatosura është shkelje e ligjit që ju sapo e konsumuat. Konsumuat një vepër. Shkelët ligjin për informacionin e klasifikuar duke nxjerrë informacione të klasifikuara. Folët për kovat. Thatë që nuk punojnë. Ato kova kanë qenë në ajër. Folët për një qendër prodhuese të kompanisë Airbass. Ka qenë një kompani tjetër italiane. Tani ju kërkoj për një moment të fikni kamerat sa të them një fjali. Vetëm një minutë”, u shpreh Peleshi.

Menjëherë pas kërkesës së Peleshit, Kuvendi ndërpreu sinjalin e komunikimit me publikun duke bërë që mbledhja të vijojë për disa minuta pa monitorimin e kamerave.