Elmi Sorra, 31-vjeçari që u mor peng nga dy persona në Tiranë kishte qenë në konflikt me të fejuarën e njërit prej tyre për disa para borxh që kishte marrë me pretekstin se ishte i sëmurë.

Sipas News 24, Sorra i kishte marrë borxh 20 mijë euro mikeshës së tij, 37-vjeçares Denalda Çezma duke i thënë se ishte prekur nga kanceri dhe kishte nevojë për një shumë parash që të kurohej.

Në momentin që ai nuk i ka kthyer paratë, Çezma ka kërkuar ndihmën e të fejuarit të saj. Sipas policisë Shkëlqim Koçeku në bashkëpunim me Sulltan Piraçin dhe 37-vjeçaren kanë marrë peng Elmi Sorrën dhe më pas e kanë dhunuar fizikisht në banesën e Çezmës.

Rrëmbimi nisi pranë Spitalit të Traumës dhe u mbyll në një rrugicë dytësore.

“Po shkoja me makinën e shokut dhe me shokun në spitalin e traumës, mbasi aty do takoja një mikeshë për të marrë një recetë. Dola nga makina dhe do ecja nja 15 metra mbasi makina nuk lëvizte dot përtej një si supermarket. Ndërsa shoku im po kthente makinën më ndaloi një makinë tip Fiat tek këmbët.

Në këtë moment dy më kapën nga krahët dhe njëri më qëlloi me grusht në bark. Më morën kundër dëshirës sime dhe më futën me forcë në automjet. Kur më futën në makinë pashë miken time E. , e cila nuk ka folur fare. Tre personat e tjerë filluan të më godasin me grushte brenda makinës. Drejtuesi I mjetit tha- silli 20 mijë eurot se do të zhduk fare, njerëzit e mi do të ruajnë dhe më ke borxh jetën” ka deklaruar Sorra.

Ai i tha policisë se për t’i sprapsur rrëmbyesit i paralajmëroi duke u thënë: Jam mik i Nehat Kullës (i cili ka ndërruar jetë dhe njihet si një nga të fortët e Tiranës).

Pas kësaj deklarate rrëmbyesit janë stepur disi.  “Mu përgjigjën do ikësh por vetëm me një kusht, shko merr makinën që ke tënden dhe ma sill mua dhe bashkë jemi shlyer”. Rrëmbyesit dyshohet se e zbritën pengun në afërsi të urës së Babrroit dhe menjëherë pas kësaj ai është drejtuar për në komisariat.