Të paktën 155 punonjës që mbushën moshën e daljes në pension gjatë vitit 2022 iu ndërpre marrëdhënia e punës me institucionin.
Komisioneri për mbikëqyrjen e Shërbimit Civil raportoi se ka një ndërgjegjësim më të lartë të institucioneve në raport me vitet e mëparshme duke krijuar vendet e lira në momentin kur punonjësit mbushin moshën për pension.
Më herët, institucionet në një pjesë të mirë, i zvarrisnin këto marrëdhënie për një kohë më të gjatë. Komisioneri raporton se në total, nga institucionet qendrore dhe ato vendore, u raportuan në vitin 2022 të paktën 218 raste të punonjësve që mbushnin moshën e pensionit.
Nga këto “në 155 raste, ose 71% të tyre, është përfunduar marrëdhënia e punësimit në shërbimin civil (nga të cilat 4 raste në zbatim të vendimit të Komisionerit dhe 151 raste marrëdhëniet e punësimit janë përfunduar nga vetë institucionet në momentin e mbushjes së moshës për pensionin e plotë të pleqërisë nga ana e nëpunësve).
Gjithashtu është përfunduar marrëdhënia e punësimit në shërbimin civil për 48 raste (të cilët e plotësonin moshën për daljen në pension të plotë pleqërie përpara periudhës objekt i këtij raportimi)” thuhet në raportin e Komsionerit.
Në 13 raste ose 6% e tyre për të cilat Komisioneri ka dalë me vendime paralajmërimi, janë në proces të rikthimit të ligjshmërisë dhe në përfundim të afatit të lënë në vendimet paralajmëruese, do të njoftojnë Komisionerin.
Në proces janë edhe 3 raste, kur punonjësit e kanë plotësuar moshën për daljen në pension të plotë pleqërie përpara periudhës objekt i këtij raportimi dhe për të cilët, Komisioneri është shprehur me vendim në vitin 2022.
Po kështu në 50 raste ose 23% të tyre, kur punonjësit e kanë plotësuar moshën për pension të plotë pleqërie në muajin dhjetor 2022, Komisioneri është në pritje të informacioneve nga institucionet për masat e marra përpara se të dalë me vendime paralajmëruese për rregullimin e ligjshmërisë në administrimin e shërbimit civil për këto raste.