Eliminim i turpshëm i Manchester Unitedit që në raundin e katërt të “FA Cup”, teksa iu dorëzua Middlesbrough, skuadër e Championship (divizioni i dytë anglez). Kjo e fundit fitoi me penallti.

Një lojë e përhumbur për “Djajtë e Kuq”, të cilët nuk e zgjidhën dot fatin e ndeshjes pa shkuar te “ruleta” e 11-metërshave. Rezultati 1-1 qëndroi edhe në kohën shtesë, pastaj nga pika e bardhë CR7 nuk gaboi sërish (si gjatë ndeshjes), por i riu Elanga i “tradhtoi” nikoqirët.

“Djajtë e Kuq” e nisën ndeshjen fuqishëm dhe pas vetëm dy minutash, Sancho goditi traversën, ndërsa në minutën e 5-të, goditja nga lart e Cristiano Ronaldos është spektakolare, por tepër qendrore.

Rastet vazhdojnë me shumicë për Manchester United. Në minutën e 25-të, Bruno Fernandes “ndez” Sancho, i cili falë një devijimi firmos avantazhin 1-0. Mysafirët nuk mund të reagojnë dhe Ronaldo vazhdon të provojë pa sukses.

Ashtu si në pjesën e parë, edhe pjesa e dytë ishte e zjarrtë për Manchester United, me Rashford dhe Ronaldo gati për t’i dyfishuar shifrat. Në minutën e 57-të, dorezat e Hendersonit “u bënë pis”, me goditjen e Crooks që përfundoi në rrjetë. Barazim 1-1, rezultat që mbeti i pandryshuar edhe pas dy shtesave.

Këtë herë nga 11 metra Ronaldo nuk gabon dhe portierët nuk e kapin kurrë topin. “Ruleta” shkon deri te penalltia e 16-të, kur Elanga “tradhton” Manchester United. Goditja e tij përfundon te tifozët dhe Middlesbrough kualifikohet në 1/16 të “FA Cup”.