Ka nisur Në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, seanca e radhës për marrjen në pyetje të dëshmitarëve, në lidhje me procedurat e marra për ngritjen e Inceneratorit të Elbasanit.

Janë 7 dëshmitarë të cilët në vitin 2014 ishin anëtarë të Komisionit për dhënien e koncesionit për inceneratorin e Elbasanit. 2 dëshmitarë janë përfaqësues të Bashkisë Elbasan, 4 dëshmitarë janë përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe Ish-Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe 1 specialiste e prokurimeve.

Inceneratori i Elbasanit është sekuestruar nga SPAK si vend krimi, dhe kjo pasuri po menaxhohet nga përfaqësues të shtetit.

Që në nisje të seancës, deputetët i kanë shtruar pyetje dy përfaqësuesve të agjensisë shtetërore të menaxhimit të pasurive të sekuestruara, Faraudin Arapo – Administrator i shoqerisë “Intergrated Technology Servis” shpk dhe Arjan Baci – Administrator i shoq. “Albtek Energy” shpk.

“Unë jam Faraudin Arapi, jam emëruar me vendim gjykate si administrator. Në momentin e marrjes së inceneratorit ka qenë në punë, ka prodhim energjie, por nuk ka shitje të saj, për shkak se nuk ka një kontratë me OSHEE-në”.

Administratorët thanë se në inceneratorin e Elbasanit janë prodhuar rreth 13 milionë kilovat, por në momentin që flasim aty kryhet vetëm depozitimi i mbetjeve, ndërkohë që u evidentua dhe gjendja e vështirë ekonomike, në të cilën u mor në dorëzim kompania.

Arjan Baci tha se për momentin bashkitë e qarkut të Elbasanit nuk paguajnë asgjë për procesin e përpunimit të mbetjeve.

“Di të them që ladfillimi dhe incenerimi deri tani, nga bashkitë e qarkut të Elbasanit kostoja ka qenë zero, kaq di të them. Nuk ka pasur arkëtim nga prodhimi i energjisë, pasi nuk ka një vendim nga ERE se kush e ble energjinë që prodhohet”, tha Baci.

Ndërkohë që kryetarja e këtij komisioni, Jorida Tabaku, zbulon se kompania që administronte inceneratorin e Elbasanit, përpara se ai të vihej nën sekuestro, ka përfituar nga garancia sovrane e qeverisë për shlyerjen e pagave.