Ka përfunduar dita e parë e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith tha se nesër do të vazhdojë gjykimi me deklaratat hyrëse të avokatëve të të akuzuarve.

“Sot mbyllim seancën publike. Takohemi nesër më 4 prill në orën 09:00 paradite për të vazhduar me deklaratat hyrëse të Mbrojtjes. Fillojmë me Mbrojtjen e Thaçit”, u shpreh Smith.

Prokuroria sot pati pesë orë kohë që të paraqesë deklaratën hyrëse. Në të, pati shumë akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Më 4 prill, ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, do të nisin deklaratat e tyre hapëse, në rastin që ka të bëjë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./abcnews.al