Beleri ndodhet në paraburgim që prej 12 majit të vitit 2023 për shitblerje të votave vetëm 2 ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit. Në seancën e sotme dëshmoi Anila Paci, specialiste në Drejtorinë e Burgjeve dëshmoi sot mbi dëshminë e penalitetit të Belerit të administruar nga SPAK:
“Jam pyetur përpara disa muajsh nga Prokuroria e Posaçme për dëshminë e penalitetit të Belerit. Kam dhënë dëshmi përpara agjentëve të BKH. Institucionet shtetërore kanë akses ne regjistrat gjyqësorë, për të parë nëse një shtetas është apo jo i dënuar. Në rast se një person rezulton i dënuar, prokuroria në këtë rast, dërgon kërkesë për historikun e tij. Dokumenti printohet vetëm në rast se një person është i padënuar. Prokuroria nuk ka akses të printojë dënimin. Të dhënat vihen ne dispozicion nga ne.
Në rastin Beleri, në regjistrin e gjendjes gjyqësore rezulton i “Rehabilituar”. Unë si specialiste, për kerkesat individuale nga E-Albania” e çaktivizoj sistemin kur rezulton “i dënuar” dhe ia jap “i padënuar”. Prokuroria e Vlorës ka të drejtën të hyjë në sistem. Prokuroritë shohin vetëm nëse një person është i dënuar apo i padënuar, por nuk kanë akses në te dhëna të tjera. Në këte rast KQZ ka bërë akses me shkrim ku kërkoi të dhëna per gjendjen gjyqësore dhe unë i kam dërguar të dhenat qe është i dënuar.”
I zgjedhur në zgjedhjet vendore të 14 majit si kryetar i Bashkisë Himarë, Dhionisios Alfred Beleri, u arrestua para votimeve për “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe për rrjedhojë nuk ka mundur të betohet pasi nuk i është dhënë leje për të dalë nga qelia./abcnews.al