Kandidati i Partisë Demokratike në zonën e Elbasanit, Luçiano Boçi ka folur ditën e sotme për Fax News, duke treguar të vërtetën sipas tij të sherrit me biznesmenin Gjergj Luca një ditë më parë.

Boçi deklaron se biznesmeni e ka goditur në një moment kur nuk e priste se do të reagonte me agrisivitet, duke shtuar se kjo është një përpjekje për t’i intimiduar.

Një video që po qarkullon në rrjet ditën e sotme ku duket Boçi që qëllon në një moment Lucën është video e montuar, sipas kandidatit të PD-së për Elbasanin, i cili shton se ai ndjen keqardhje për media të tilla të cilat montojnë video.

Ndër të tjera, Boçi theksoi se askush nuk do t’i kërcënojë dot pavarësisht përpjekjeve të mëdha që bëhen nga mazhoranca, e cila i frikësohet pjesëmarrjes masive të qytetarëve në zgjedhjet e 25 prillit. Ai paralajmëron se përgjgijen kundërshtarët do ta marrin flakë për flakë.

Gjatë intervistës së tij, Boci u ndal dhe te akuza që i ka bërë biznesmeni për vjedhjen e telefonit, duke u shprehur se telefonin Luca e ka marrë dhe se kërkon të mbajë peng situatën.

Intervista:

Videoja?

Boci: Pamjet janë të edituara dhe të montuara, sigurisht ka ndërhyrje. Ajo zyrë që i ka bërë normal që do të mbajë përgjegjësi. Ndjej keqardhje për atë zyrë, sepse në karrierën time politike kam qenë mbrojtës i lirisë së medias, por është e papranueshme kur liria e medias shkon drejt falsifikimit, gjithsesi është përgjegjësi mediatike dhe morale e atyre që e kanë bërë. Unë jam goditur nga zoti Luca në një moment të qetë, pas një debati, pa e ditur se do të nderhynte me agresion dhe më pas i kam dhënë përgjigjen e merituar. Unë nuk lë asnjë që të na vendosë me shpatulla pas murit, sepse kërkojnë të intimidojnë qytetarët. Përgjigjen do ta marrë flakë për flakë. Ne vazhdojmë fushatën tonë në mënyrë të qetë dhe demokratike për të shpalosur përpara qytetarëve programin tonë.

Kallëzim për median që e ka bërë këtë?

Boci: Unë jam mbrojtës i medias. Media duhet të vetërregullohet. Nuk mund ta imagjinoj kurrë në jetën time të bëj një denoncim për median. Unë jam vetë pedagog i gazetarisë. Mediat duhet të respektojë. Ndjej keqaardhje për ata që fragmentojnë dhe editojnë në mënyrë të paskrupullt një regjistrim që duhet të publikohet i plotë. Po të mos mbtemi pas medias, por te personi që jam konfliktuar. Kam kërkuar marrjen e kamerave dhe videove nga Prokuroria. Ky hetim nuk mund ta marrin persona të caktuar dhe të ndërtojnë akuza fallso. Askush të mos qahet dhe të mos derdhë lot për zotin Luca, sepse jam i bindur se telefoni i tij është shëndoshë e mirë dhe e ka në dorë zoti Luca, por kërkon ta mbajë peng situatën. Dhunuesit janë ata që kanë ushtruar dhunë deri më tani. Ata e dinë mirë se votimi masiv do të sjellë humbje masive për ta.

Si po vijon dita juaj?

Boci: Kam marrë mijëra mesazhe mbështetëse nga qytetarët. Duke ruajtur karakterin dhe duke përcjellë atë që duan qytetarët. Askush nuk mund të na intimidojë, askush nuk mund të na frikësojë. Ne jemi të vendsour në rrugën  tonë. Ne jemi të vendosur në betejën tonë. Kundërshtari që përdor dhunën do të marrë të njëjtën ekuivalence në lidhje me veprimet që ai kryen. Ne jemi për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Do të marrim të gjitha masat që këto zgjedhje të lira të zhvillohen.

Faxnews