Shqipëria një nga perlat e fshehura të Europës, po shfaqet si një destinacion unik dhe për turistët në prag të sezonit të ri, të cilët preferojnë të vizitojnë vende mahnitëse.

“Ky destinacion i ri po bëhet gjithnjë e më i popullarizuar në mesin e udhëtarëve britanikë. Bëhet fjalë për Shqipërinë e bukur, perlën e panjohur të Ballkanit”, shkruan Elise Morton në të përditshmen britanike “The Telegraph”.

“Me një vijë bregdetare që shtrihet përgjatë deteve Adriatik dhe detit Jon, Shqipëria ka filluar të tërheqë vizitorë ndërkombëtarë falë peizazheve të saj magjepsëse, kuzhinës së shkëlqyer e historisë intriguese.

Vizitorët mund të eksplorojne një mozaik me pasuri kulturore dhe bukuri natyrore: nga shtëpitë e gurta osmane të Gjirokastrës e rëra e bardhë e Rivierës Shqiptare, te kultura moderne e kuzhinës në Tiranë dhe ndikimet e qytetërimeve të lashta në Parkun Arkeologjik të Butrintit të listuar në UNESCO. Shqipëria është e përgatitur si për pushime në qytet në fundjavë, ashtu edhe për aventura më të mëdha.

Gjithçka që ju nevojitet është pak frymëzim, kështu që ne kemi zgjedhur 10 mënyra emocionuese për të kaluar pushimet në destinacionin e Europës në zhvillim, përpara se kjo perlë ballkanike të preket nga turizmi masiv.

Tirana

Tirana, kryeqyteti dinamik i Shqipërisë po bën emër si një arratisje urbane e pazakontë. Ky është një qytet ku historia e pasur konvergjon me një energji të dukshme rinore. Kthehuni në epokën komuniste nëpërmjet muzeut Bunk’art 1 dhe Bunk’art 2, të shndërruar në muze nëntokësor e galeri arti.

Vizitoni Shtëpinë me Gjethe, Muzeun e Mbikëqyrjes Sekrete të vendosur në ish-selinë e shërbimit inteligjent shtetëror, përpara se të zbuloni kafenetë plot gjallëri. Një shëtitje pranë malit të Dajtit me teleferikun më të gjatë në Ballkan, ju jep një ide të topografisë mbresëlënëse të zonës.
Përjetoni “Galapagosin europian”

Një nga liqenët më të vjetër e më të thellë të Europës, Liqeni i Ohrit, përshkon Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut e shpesh është konsideruar si “Galapagosi Europian”, falë biodiversitetit të tij mbresëlënës.

Shëtisni shëtitoren ose bëni një zhytje në ujë të ëmbël në Pogradec dhe shijoni një shëtitje me varkë në Drilon, përpara se të shikoni kufirin me Maqedoninë e Veriut e të shkoni në Manastirin Bizantin të Shën Naumit. Nëse koha ju lejon, ndiqni rrugën për në qytetin e Ohrit të mbrojtur nga UNESCO.

Zbuloni kuzhinën shqiptare

Duke u mbështetur në peizazhin e larmishëm të vendit, mendoni për ushqimin vendas, të shijshëm në malet veriore dhe shijet mesdhetare përgjatë rivierës. Po ashtu, historinë e saj nën drejtimin e perandorive të shumta (ndoshta më e dukshme në atë otomane), kultura e kuzhinës së Shqipërisë do t’ju befasojë dhe kenaqë me çdo kafshatë.

Shijoni pjatën tradicionale tavë kosi (qengj i pjekur dhe oriz me kos), bukë misri pispili me presh dhe fërgesë, përpara se të shijoni frutat vendase në një nga vreshtat e shumta në rritje të Shqipërisë.
Ujëvara në kanionet e Osumit dhe lumi Vjosë

Shqipëria është një parajsë emocionesh veçanërisht kur bëhet fjalë për aktivitetet ujore. Përtej sporteve ujore të disponueshme në plazhet e pacënuara në Rivierën Shqiptare, ju mund të bëni rafting në kanionin e Osumit, një grykë e thellë lumi 16 milje, e mbushur me ujëvara, si dhe kajak në lumin Vjosë, “lumi i fundit i egër i Europës”. Nëse doni të eksploroni më shpejt shtratin e lumit Osum në këmbë sesa me varkë, vizitojeni në sezonin e thatë midis korrikut dhe tetorit.

Ecni në Alpet Shqiptare

Alpet Shqiptare ndodhen në veriun e thyer të vendit. Shtëpia e ecjes më të bukur në Shqipëri, ky varg malor ofron pamje mahnitese të pyjeve e luginave të thella, të mbushura me lule të egra. Mos u shqetësoni nga emri tjetër i zonës “Bjeshkët e Nemuna”: peizazhi epik përshkohet nga shtigje të ndryshme, duke siguruar pushime të bukura për të gjithë udhëtarët që preferojnë të ecin. Shtigjet më të njohura kalojnë në qafën e Valbonës për në fshatin Theth, i quajtur fshati më i bukur në Shqipëri.

Ndërthurje e historisë me relaksin

Të pushosh në jugun e largët të Shqipërisë do të thotë të ndërthurësh aventurat në histori me ditët e relaksit në plazh. Filloni duke eksploruar sitin arkeologjik të Shqipërisë, Butrintin, duke u mrekulluar me mënyrën si rrënojat dëshmojnë evolucionin e vendbanimit ndërsa banorët e rinj lanë gjurmët e tyre në qytet.

Me gjurmët e grekëve, romakëve, bizantinëve, venecianëve dhe osmanëve, të gjithë të evidentuar, është e lehtë të kuptohet pse Butrinti shpesh quhet mikrokozmosi i përsosur i historisë së Mesdheut. Shijoni diellin në rërën e bardhë e të pastër të Ishujve të Ksamilit: i rrethuar nga ujëra tërheqës dhe të pastër kristal. Hipni në traget për të arritur në qytetin bregdetar shqiptar të Sarandës dhe eksploroni Syrin e Kaltër.
Zbuloni historinë osmane në Berat dhe Gjirokastër

Gjatë epokës komuniste, pjesa më e madhe e trashëgimisë arkitekturore osmane të Shqipërisë u shpërbë në favor të dizajnit funksional, shpesh më të ashpër të ndërtesave.

Qytetet e Beratit e Gjirokastrës, të mbrojtura nga UNESCO, i shpëtuan këtij fati: Berati njihet si “qyteti i një mijë dritareve” për shtëpitë e tij të ruajtura bukur në kodra të epokës osmane, ndërsa Gjirokastra kurorëzohet nga kalaja e shekullit të XII dhe quhet “qyteti i gurtë” falë shtëpive të saj prej guri të mbuluara me rrasa.

Udhëtimi mes dy qyteteve me makinë zakonisht zgjat më pak se tre orë.

Udhëtim në Rivierën Shqiptare

Vizitoni Rivierën Shqiptare në jugperëndim: një varg në dukje i pafund gjiresh që të lënë pa frymë midis Vlorës dhe Ksamilit.

Të përmendura shpesh si disa nga pikat më të mira të notit në vend, plazhet në Dhërmi dhe Gjipe janë mjedisi i përsosur për të vozitur Jonin.

Këtu, guralecët e bardhë gati rrezatues mbulohen nga ujërat bruz ndërsa plazhi i Gjipesë ofron një shije të bukurisë më të egër shqiptare. Dhërmiu është i pajisur me shezllonë të rehatshëm dhe vende për të drekuar buzë detit. Për më tepër, Dhërmiu konsiderohet si destinacioni i preferuar i pushimeve.