Europa po shkon drejt epokës së matriarkatit, për shkak të përmbysjes së raporteve gjinore në popullsinë e përgjithshme në favor të femrave, teksa po shtohet me shpejtësi përqindja e femrave me diplomë të arsimit të lartë në raport me meshkujt.

Sipas të dhënave të Eurostat në vitin 2020 në Europë kishte 219 milion burra dhe 229 milion gra në BE. Eurostat numëroi se për çdo 100 burra kishte 104.7 gra, ose 4.7 % më shumë gra sesa burra. Të dhënat përfshijnë edhe Shqipërinë, por raportet gjinore në vendin tonë kanë një diferencë të lehtë në favor të grave, ku për çdo 100 burra ka 100.3 gra.

Eurostat verifikoi se kishte më shumë gra sesa burra në të gjitha shtetet anëtare, përveç Maltës, Luksemburgut, Suedisë dhe Sllovenisë. Normat më të larta u gjetën në Letoni (17 % më shumë gra sesa burra) dhe Lituani (14 % më shumë).

Për krahasim, më 1 janar 2001 kishte 5.5 % më shumë gra sesa burra në BE, me një raport minimal prej 101.1 gra për 100 burra në Irlandë dhe një maksimum prej 117.3 në Letoni. Gjatë periudhës 2001-2020 rritja më e lartë e normës u regjistrua në Portugali (nga 107.2 në 111.9 gra për 100 burra), ndërsa rënia më e lartë ishte në Maltë (nga 102.1 në 93.6 gra për 100 burra).

Shqipëria deri më tani i ka të ekuilibruara raportet gjinore në popullsinë e saj, por emigracioni i lartë e kë dëmtuar këtë barazi në disfavor të burrave. Popullsia e Shqipërisë në 1 janar 2021 ishte 2.829.741 persona, duke pësuar një rënie prej 0,6 % gjatë 2020. Gjatë këtij viti, numri i grave në Shqipëri është ulur me një normë prej 0,4 % ndërsa popullsia e burrave ka rënë me 0,7 %. Në vitin 2020, gratë përbënin 50,2 % të popullsisë gjithsej.

Shtesa natyrore, gjatë vitit 2020 është më e ulët për burrat sesa për gratë, përkatësisht -1.018 dhe 1.488. Migracioni neto i grave shënon vlerën -7.069 gra të emigruara më shumë sesa të kthyera në 2020. Migracioni neto i burrave është gjithashtu negativ, -9.615 burra të emigruar më shumë sesa të kthyer.

Migracioni neto negativ i burrave dhe i grave ka ndikuar në rënien e përgjithshme të popullsisë. Raporti gjinor sipas grupmoshave tregon se në Shqipëri ka një mbizotërim të gjinisë mashkullore deri në grupmoshën 35-39 vjeç. Mosha mediane për burrat, në fund të vitit 2020 është 36,8 vjeç ndërsa për gratë është 38,6 vjeç. Mosha mediane më e lartë tek gratë shpjegohet me jetëgjatësinë më të lartë të tyre. Në vitin 2020, jetëgjatësia në lindje është llogaritur të jetë 75,2 vite për burrat dhe 79,6 vite për gratë. Kjo do të thotë se gratë jetojnë 4,4 vite më shumë se burrat.

Të dhënat e Eurostat tregojnë së për vitin 2020 më shumë se 34 % e grave në BE kishin përfunduar arsimin e lartë, krahasuar me 29 për qind të meshkujve. Në Shqipëri gjatë vitit 2020 numri i të diplomuarve në arsimin e lartë në vitin akademik 2019-20 ishte afërsisht 33 mijë studentë ndër të cilët vajzat përbënin 65,3 %.

Në dekadat e fundit, përqindja e grave me arsim të lartë është rritur vazhdimisht, duke e përmbysur hendeku historik gjinor në favor të burrave. Në vitin 2019 në vendet e OECD-së, 51% e grave 25-34 vjeç kishin diplomë të arsimit të lartë, krahasuar me 39% të meshkujve. /monitor