I konsideruar si një nga qarqet problematike, qyteti i Elbasanit shënoi edhe incidentin e parë politik në këtë parafushatë zgjedhore.
Nuk dihet nëse kjo ishte e qëllimtë nga ana e dy krerëve të partive kryesore, Lulzim Basha dhe Edi Rama, që si asnjëherë më parë u gjendën në të njëjtën kohë dhe të njëjtin vend për festën e Ditës së Verës.
Vetë Basha tha se nuk kishte dijeni për ardhjen e Ramës në të njëjtin orar, ndërsa ky i fundit dha këtë sqarim për median.
Rama: Pse duhet të shkojmë në orare të ndryshme, çfarë lidhje ka kjo? Nuk jemi armiq, nuk kemi arsye pse përtej ballafaqimeve të betejës politike, në mjedisin shoqëror sillemi si njerëz, qytetarë. Çfarë jemi ne?
Përplasjen mes simpatizantëve socialistë dhe demokratë e dënoi edhe Ministrja Kushi, kandidate për deputete në këtë qark.
Kushi: Jam shumë e keqardhur sepse unë kam lindur dhe jam rritur në këtë qytet. Tradicionalisht Dita e Verës ka qenë festa më e bukur që i bashkonte të gjithë njerëzit pavarësisht besimeve fetare apo bindjeve politike. Asnjëherë nuk kishte ndodhur që një forcë politike të përçajë festën është jo vetëm për keqardhje por edhe e turpshme. Populli i Elbasanit është një popull i mençur dhe di ta bëjë diferencën midis atyre që përçajnë dhe atyre që punojnë.
Sa i takon shkeljes masive të masave anti-Covid nga qytetarët që mbushën rrugët e qytetit, Rama u shpreh.
Rama: Jam këtu për të respektuar një traditë të kësaj feste që është një feste që prej kohësh është kthyer në festë kombëtare që qendrën e vet e ka në Elbasan. Jemi sot për të uruar të gjithë pa dalim bindjesh politike, besimesh apo prejardhjesh që të kenë festë të gëzuar dhe verë të gëzuar. Unë dhe ne po përpiqemi të bëjmë çmos që vera të jetë e lehtësuar nga pesha e rëndë e imponuar nga armiku u i padukshëm. Po bëjmë çmos të garantojmë një vaksinim intensiv duke sjellë sasi të konsiderueshme vaksinash. Filluam dje me mësuesit e pedagogët pasi kemi mbaruar vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve dhe vazhdojmë por jo me ritmin e domosdoshëm me të moshuarit.
Kujtojmë që vetëm pak ditë më parë, diplomatja amerikane Yuri Kim zhvilloi në këtë qytet takim me drejtuesit politik të partive kryesore në këtë qark.
Ora news