Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dimitro Kuleba, ka kritikuar vendimin e Gjermanisë për të ndaluar flamujt ukrainas në festimet e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Policia gjermane konfiskoi një flamur gjigant ukrainas në Berlin të dielën, pasi u shpalos nga protestuesit.
“Berlini bëri gabim duke ndaluar simbolet ukrainase. Është thellësisht e gabuar t’i trajtosh ato në të njëjtën mënyrë si simbolet ruse,” tha Kuleba në një mesazh të postuar në llogarinë e tij zyrtare në Tëitter.
Heqja e një flamuri ukrainas nga protestuesit paqësorë është një sulm ndaj të gjithë atyre që tani po mbrojnë Evropën dhe Gjermaninë nga agresioni rus me këtë flamur në duar”, shtoi Kuleba.
8 maji është një datë e veçantë në Gjermani. Shteti gjerman kujton çdo vit të ashtuquajturën “Ditë e çlirimit” nga nazizmi. Me këtë rast, kancelari gjerman Olaf Scholz, i është drejtuar kombit për të kujtuar gratë, burrat dhe fëmijët e ndjerë, si dhe për t’i dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë presidentit të Rusisë, Vladimir Putin: “Është e dhimbshme të shohësh se 77 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, forca brutale shkel sërish ligjin në qendër të Evropës”.
Gjatë fjalës së tij, ai theksoi mesazhin e tij të mbështetjes për Ukrainën, theksoi vështirësinë e disa prej vendimeve të marra nga qeveria e tij, si dërgimi i armëve, dhe ishte i bindur për humbjen përfundimtare të Putinit në luftë: “Ne mbështesim Ukrainën kundër agresorit. Që nuk duhet të ketë më luftëra botërore është një mësim i këtij 8 maji. Putini nuk do ta fitojë luftën”.
Nga ana tjetër, Olaf Scholz ka dashur të bëjë të qartë se, pavarësisht se priten sanksione të reja dhe një konflikt afatgjatë, Rusia nuk do të jetë ajo që do të shënojë hapat për vendosjen e paqes dhe rendit në mbarë botën: “Nuk duhet të ketë paqe të diktuar nga Rusia. Ukraina nuk do ta pranonte atë dhe as ne”.