Garë e jashtëzakonshme për titullin në Premier League, me Pep Guardiolën që e nxeh edhe më tepër, pasi rriti në 3 pikë diferencën me rivalët e kuq.

“Do të jetë një duel i bukur me Liverpoolin për Premier League, edhe pse ata nuk është se janë mësuar ta fitojnë”.

Ishte kjo një nga deklaratat e Guardiolës pas suksesit 5-0 të Manchester Cityt të tij ndaj Newcastle, dhe mbi të gjitha pas ndalesës që bënë rivalët e Liverpool që një ditë më parë barazuan 1-1 me Tottenham.

Pas një fundjave që shkoi në favorin e tij Guardiola vendosi të shfryjë paksa teksa u shpreh: “Liverpooli ka një histori të pabesueshme në nivel europian, por nuk e ka në Premier League ku ka fituar vetëm një herë në 30 vjet. Një javë më parë askush nuk mendonte se ne do të ishim kampionët. Të gjithë në këtë vend mbështesin Liverpool, mediat, tifozët dhe gjithë të tjerët”.

Më pas trajneri spanjoll u fokusua te vazhdimësia e garës për titullin në këto javë të fundit: “Tani duhet të bëjmë 9 pikë për ta fituar, ndoshta edhe 6, do të varet nga takimet e ardhshme. Jemi zotër të fatit tonë, do të provojmë ta fitojmë dhe duhet të shohim vetëm veten tonë”, deklaroi trajneri i Cityt.