Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar ndarjen nga jeta të ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova.

Rama e konsideron Rugovën si njeriun e madh të Kosovës dhe udhëheqësin më atipik dhe të shquar të historisë sonë.

Mesazhi

Në këtë ditë të ngarkuar emocionale të vitit, kujtojmë edhe njeriun e madh të historisë së Kosovës, udhëheqësin më atipik ndër të shquarit e historisë sonë, presidentin e parë të shtetit tjetër të pavarur të shqiptarëve, Ibrahim Rugovën, i cili u nda nga jeta sot e 16 vjet më parë, por në çdo vit që kalon ylli i tij rritet në qiellin e kujtesës sonë kombëtare

Gjithashtu edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përkujtuar sot presidentin Ibrahim Rugova. Përmes një reagimi në ‘Facebook’, Basha ka shprehur vlerësime për figurën e liderit historik të Kosovës, i cili mbush sot 16 vite që është ndarë nga jeta.

MESAZHI I BASHËS

Përulje me mirënjohje kombëtare, shqiptarit që udhëhoqi lëvizjen më të madhe paqësore të Europës moderne. Ne përulemi me mirënjohje të thellë kombëtare në këtë përvjetor të ndarjes nga jeta, para emrit dhe veprës së përjetshme të Ibrahim Rugovës, simbolit të përpjekjeve të Kosovës për pavarësi dhe shqiptarit që udhëhoqi lëvizjen më të madhe paqësore të Europës moderne.

Arkitekti i pavarësisë së Kosovës mbetet frymëzim për çdo shqiptar që e ka të shenjtë interesin kombëtar. Trashëgimia e tij politike dhe intelektuale, shndrin si arritja më e madhe e një lëvizjeje politike paqësore, e mishëruar sot në shtetin e pavarur të Kosovës