Çfarë do të ndodhë me koncesionin e pullave fiskale, që nga problemet me afatet e përfundimit të kontratës deri te shqetësimet e përsëritshme të bizneseve të mallrave të akcizës për çmimet e larta të pullave që po paguajnë përtej afatit 10-vjeçar

Dorina Azo

Kontrata e koncesionit të pullave fiskale, sipas konkluzioneve të grupit të punës të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (MFE) përfundon më 6 shkurt 2023.

Në vijim të shqetësimeve të ngritura nga aktorët e tregut për përfundimin e afatit 10-vjeçar të kontratës dhe tarifave disa herë më të larta se vendet e BE-së që po paguajnë, MFE ngriti një vit më parë grupin e punës me përfaqësues të ministrisë, Drejtorisë së Doganave dhe në bashkëpunim me rekomandimet e dhëna nga juristët e Avokaturës së Shtetit për të zgjidhur ngërçin e trashëguar për miratimin e datës efektive të kontratës.

Drejtori i koncesioneve në MFE, Edmond Ahmeti, pohoi për “Monitor” se grupi i ekspertëve që shqyrtoi kontratën e koncesionit, pas shqetësimeve të përsëritshme të sipërmarrjes, ka arritur në konkluzionet ligjore përfundimtare se data e mbylljes së koncesionit është 6 shkurt 2023.

Kompania koncesionare “SICPA Security Solutions Albania” i tha “Monitor” se pretendon se afati i kontratës përfundon pas zbatimit të sistemit “Track and Trace” për produktet farmaceutike. Sipas tyre, kjo zgjat afatin e zbatimit edhe 10 vjet deri në plotësimin e elementit të dytë të kontratës.

Pretendimet e saj ligjore kompania do t’i dërgojë zyrtarisht në MFE në muajin gusht, periudhë e përcaktuar nga grupi i punës, si fillim i përfundimit të kontratës. Në anën tjetër, në këto gati 10 vjet të zbatimit të marrëveshjes koncesionare, tarifa e pullave fiskale është paguar vetëm nga bizneset e akcizës, ndryshe nga sa ishte parashikuar në marrëveshjen e miratuar në 2012-n që do të zbatohej edhe për sektorin e farmaceutikës.