8 persona janë arrestuar në orët e fundit në Tiranë, të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Ndërkohë janë proceduar 2 vajza për shkak të një konflikti që kanë pasur me moshataret e tyre.
Mësohet se G. S., 22 vjeçe dhe S. F., 25 vjeçe janë konfliktuar me shtetaset T. Xh., 22 vjeçe, A. M., 23 vjeçe dhe F. R., 23 vjeçe për motive të dobëta dhe i kanë qëlluar me thikë.
Këto të fundit kanë marrë plagë dhe ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi:
Vihen në pranga 8 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim, dhe procedohen penalisht 3 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. M., 23 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. Q., 40 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj të dashurës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit F. L., 34 vjeç, për veprën penale “Dhuna në familje”, i dënuar më parë po për këtë vepër penale, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj prindërve të tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. S., 28 vjeç, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses, dhe ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke dalë jashtë banesës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë ekzekutimin e vendimit penal për shtetasin Eneo Ndoni 33 vjeç, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e ka dënuar me 9 muaj burg për veprën penale “Mashtrimi”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë bënë arresrimin në flagrancë të shtetasit S. P., 42 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin e tij, në gjendje të dehur.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
– H. F., 28 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin e tij, në gjendje të dehur;
– S. P., 36 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin e tij, në gjendje të dehur, ka përplasur dy mjete të parkuara dhe këmbësoren shtetasen E. Z., e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
—-
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 proceduan penalisht shtetasit:
– F. Gj., 23 vjeç, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, pasi për motive të dobëta, ka goditur me grushte shtetasin N. C;
– G. S., 22 vjeçe dhe S. F., 25 vjeçe, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, pasi për motive të dobëta, gjatë një konflikti, kanë goditur me mjet prerës, shtetaset T. Xh., 22 vjeçe, A. M., 23 vjeçe dhe F. R., 23 vjeçe, të cilat ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.