Prokurori Hysni Mulaj ka vendosur të mos kërkojë burg për Rudolf Nikollën, i riu i cili plagosi me thikë 5 persona në xhaminë “Dine Hoxha” te rruga e Kavajës në mes të ditës.

Ngjarja ndodhi në prill të këtij viti, gjatë muajit të Ramazanit, dhe shumë në atë kohë e cilësuan madje si një veprim terrorist, për shkak të kohës dhe mënyrës sesi ndodhi.

Prokurori i cështjes ka mbyllur hetimin dhe e quan autorin një të sëmurë mendor, duke kërkuar për të vetëm mjekim, për shkak të gjendjes së tij mendore.

Mirëpo një nga ata që nuk e kanë ‘kapërdirë’ lehtë këtë vendim të Prokurorit është imam Ahmed Kalaja, i cili ka publikuar dokumentat e prokurorisë dhe ngre dyshime të forta për vendimin.

“Çfarë bëhet? Ku synojnë? As gjyq as thirrje të të plagosurve?? A mund të jetë ndonjë familjar i prokurorit viktima e radhës ?! Vjen erë apo më duket mua ????”, shkruan Kalaja.

Mesditën e 19 prillit, Rudolf Nikolli nxori thikën dhe ju sul besimtarëve myslimanë brenda xhamisë Dine Hoxha. Pasi qëlloi me thikë brenda xhamisë, ai doli jashtë duke ju sulur dhe këmbësorëve. Ka qenë ndërhyrja e kalimtarëve që ka bërë të mundur neutralizimin e tij.

Rudolf Nikollaj njihej një person me precedentë penal, ai edhe më parë kishte plagosur një person tjetër në terminalin e autobusëve të Tiranës, duke e goditur me thikë. Ndërsa babai i tij shprehej se i biri ishte me të meta mendore dhe se ai u kthye në një praktikues i besimit mysliman, nga ai katolik që kishte, duke pretenduar se u mashtrua.

Në bazë të dokumentit të publikuar nga vetë imam Ahmed Kalaja, prokurori i çështjes ka nxjerrë këto konstatime: “Personi në hetim Rudolf  Nikollak vuan nga probleme të shëndetit mendor. 2) personi në hetim plotëson kriteret për diagnostiko për çrregullim psikotik i pa specifikuar. 3) Personi në hetim nuk është i përgjegjshëm për veprën e kryer, pasi gjykimi dhe sjellja e tij janë udhëhequr prej çrregullimit të mendimit, emocionit dhe perceptimit. 4) Personi nën hetim për shkak të sëmundjes prej së cilës vuan, nuk ka qenë në gjendje të kuptoj dhe të kontrolloj veprimet e tij dhe pasojat që rrjedhin prej tyre. 5) Personi në hetim, prezanton risk të lartë për sjellje të paparashikueshme. 6) Personi në hetim, aktualisht prezanton simptomë psikotike aktive, të sëmundjes prej së cilës vuan. 7) Personi duke vlerësuar riskun për sjellje të paparashikueshme nëpërmjet HCR 20, ku analizohet historia për sjellje të paparashikueshme, klinika aktuale e menaxhimit të riskut në të ardhmen, i rekomandohet masa mjekësore e “Mjekimit të detyruar në një institut mjekësor”, thuhet në dokument.

Më pas prokurori  çështjes thekson dhe arsyen se pse nuk mund të japë një dënim me burg për këtë vepër penale. “Për sa i përket përgjegjësisë penale për kryerjen e veprës penale nga ana e të pandehurit Rudolf Nikollaj, për shkak se ai ka rezultuar i papërgjegjshëm para ligjit për veprën e kryer, e për pasojë nuk mund të akuzohet apo dënohet për kryerjen e saj, për këto arsye ne do i drejtohemi Gjykatës së Rrethit gjyqësor Tiranë, kjo në mbështetjet të neneve 46 të Kodit Penal dhe 46 të K. Pr. Penale me kërkesë: Për caktim e masës mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor” ndaj të pandehurit Rudolf Nikollaj, sipas nenit 46, pika 2 e K, Penal”, thuhet në këtë dokument, ku bëhet i ditur edhe përfundimi i hetimeve.

fax