Vllaznia dhe trajneri Elvis Plori kanë ndarë rrugët me mirëkuptim. Me anë të një njoftimi për mediat klubi shkodran i futbollit bën të ditur se Plori nuk do të jetë më trajner i skuadrës në këtë pjesë të mbetur të sezonit.

“Klubi i Futbollit Vllaznia njofton se ka vendosur me mirëkuptim largimin nga pozicioni i trajnerit të parë Elvis Plorin. Falenderojmë trajnerin Plori për të gjithë kontributin e dhënë gjatë këtyre 2 viteve për ringritjen e klubit tonë dhe i urojmë shumë suksese në sfidat e ardhshme në pozicionin teknik brenda klubit tonë”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, në një tjetër njoftim, Vllaznia bën të ditur se trajneri i ri i kuqebluve do të jetë i mirënjohuri Mirel Josa. “Klubi i Futbollit Vllaznia ka vendosur t’i ofrojë të gjithë besimin dhe mbështetjen e duhur trajnerit të njohur dhe me eksperiencë Mirel Josa në drejtimin e pankinës kuqeblu. I urojmë fat dhe suksese në përmbushjen e objektivave sezonale dhe në vazhdimësi në drejtimin e Vllaznisë. Mirë se erdhe mjeshtër!”.

Vllazninë e presin dy sfidat e fundit të kampionatit dhe më 31 maj finalja e Kupës së Shqipërisë ndaj skuadrës së Laçit.