Vijojnë kontrollet e shtuara në territor, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. 

Gjatë kontrolleve, nga shërbimet e Policisë Kurbin janë evidentuar dhe goditur dhe 2 raste të tjera të tentativës për kultivim të kanabisit. 

Arrestohen në flagrancë 2 shtetaset që ushtronin këtë veprimtari kriminale. 

Shërbimet e Policisë Kurbin, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit të territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, kanë evidentuar dhe goditur 2 raste të tentativës për kultivim të kanabisit, në Milot, Kurbin. 

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë shtetaset: F. K., 52 vjeçe dhe V. I., 52 vjeçe, banuese në Milot, Kurbin. 

Arrestimi i tyre u bë pasi janë kapur në kushtet e flagrancës, duke tentuar të kultivojnë bimë narkotike cannabis sativa në pjesën e pasme të banesave, në tokat në pronësi të tyre, në fshatin Milot, Kurbin. 

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.