Avokati i turkut Faruk Ozer është gjobitur nga Gjykata e Apelit Durrës për zvarritje të procesit gjyqësor ku do të vendoset fati i ekstradimit të 28 vjeçarit të akuzuar për mashtrimin e mijëra personave përmes një platforme kriptovalute.

Mungesa e avokatit shqiptar Klodian Skënderaj, bëri që Gjykata e Apelit Durrës të dështojë edhe një herë për të shqyrtuar vendimin e ekstradimit drejt Turqisë të Faruk Ozer, themelues i platformës Thodex.

Në këto kushte, gjyqtari Valbon Çekrezi vendosi të gjobisë me 50 mijë lekë përfaqësuesin ligjor të bosit turk, të kriptomonedhave të akuzuar në vendin e tij për mashtrim.

Seanca e radhës u caktua për në datën 27 dhjetor, ndërsa për të shmangur një tjetër zvarritje të procesit, gjyqtari caktoi një avokat kryesisht për të mbrojtur shtetasin turk.

Më 17 nëntor, Gjykata e Elbasanit, pas shumë seancave të dështuara vendosi ekstradimin drejt Turqisë të Ozer, i cili e ka ankiminuar vendimin me argumentin se në vendin e tij i rrezikohet jeta.

Por në dy seanca radhazi, avokati i të riut turk nuk është paraqitur në gjykatë, çka ka ngritur dyshime tek trupi gjykues se mungesat janë përpjekje për të zvarritur vendimin e Gjykatës së Apelit.

Faruk Ozer u arrestua më 30 Gusht nga Policia Shqiptare, pasi ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet turke që e akuzojnë për veprat penale ,“Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.

Ai dyshohet se vodhi rreth 2 miliard dollarë duke mashtruar rreth 400 mijë persona që investuan në platformën e tij, tashmë të mbyllur të kriptovalutës.

Ndërsa 28 vjeçari vijon betejen ligjore në Shqipëri për ti shpëtuar ekstradimit, në Gjykatën e Lartë të Stambollit ka nisur një proces gjyqsor për skemën e dyshuar të mashtrimit.