Kryepolici serb në Mitrovicën e Veriut, i cili pak javë më parë dha dorëheqjen në shenjë proteste për implementimin e marrëveshjes së targave, është arrestuar nga policia e Kosovës.

Ai akuzohet se është organizator i sulmit të armatosur në stacionin policor në veri të Kosovës, mbrëmjen e djeshme, ka bërë me dije ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Në një deklartë për media së bashku me kryeministrin Albin Kurti, Sveçla tha se në veri të vendit janë ngritur 6 barikada si dhe policia ka shkëmbyer zjarr me disa grupe të armatosura kriminale.

Sveçla akuzoi presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç si personi që financon, kontrollon dhe urdhëron grupet kriminale në Kosovë.

“Me urdhër të prokurorit atij i është caktuar masa 48 orë paraburgim, për thyerje të rendit dhe vepra terrotiste. Nga pasditja e djeshme janë ngritur 6 barrikada. Në disa lokacione janë hedhur sho-bomba, ndërsa njësitet policore kanë shkëmbyer zjarr me disa grupe të armatosura. Më pas situata është vendosur nën kontroll dhe është në monitorim.

Mbrëmë Aleksandër Vuçiç, zëdhënës i Millosheviçit, i trishtuar nga humbja e bandave të tyre kriminale u rikthye në vitet 90 në rolin e tij propagandues”, deklaroi ministri Sveçla.