Vajza që u gjet e pajetë në një kanal në afërsi të bypassit të Shkodrës, është një 37 vjeçare nga Tropoja. Policia e Shkodrës bën me dije se Leze Qosja jetonte në lagjen Dobraç të qytetit, në shtëpinë e motrës së saj.

Trupi i saj është pjesërisht i dekompozuar dhe pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Gati tre javë më parë, më 18 maj, motra e 37 vjeçares që u gjet sot e vdekur kishte bërë kallëzim në polici se shtetasja Leze Qosja ishte larguar nga shtëpia dhe nuk ishte rikthyer më. Fillimisht kishte dyshime se vajza ishte e komunitetit rom.

Shkodër/Informacion paraprak

Rreth orës 17:05, në lagjen “Ahmet Haxhija”, Shkodër, në ByPass, në afërsi të një kanali, është gjetur pa shenja jete një shtetasja L.Q (K)  37 vjeçe, lindur në Tropojë e banuese në Dobraç, Shkodër. Trupi është pjesërisht i dekompozuar dhe pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Në vendngjarje ndodhet Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, ku vijon  puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Sqarojmë se më datë 18.05.2022, motra e kësaj shtetaseje ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë Shkodër, se më datë 08.05.2022, shtetasja L.Q (K),  ishte larguar nga banesa, pasi kjo shtetase jetonte në Dobraç, në banesën e motrës së saj.