Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë në Himarë, babë e bir akuzohen se kanë mbjellë një parcelë me drogë në fshatin Vranisht. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë kanë vijuar kontrollet e imtësishme të territorit. Si rezultat është finalizuar operacioni policor i koduar “Vilza”, gjatë të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- A. Sh., 63 vjeç, banues në Vranisht, Himarë.
- Xh. Sh., 25 vjeç, banues në Vranisht, Himarë.
Gjatë kontrollit, në fshatin Vranisht, Himarë, në vendin e quajtur “Vilza”, shërbimet e Policisë kanë gjetur të kultivuara bimë të dyshuara narkotike canabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Nga veprimet hetimore dyshohet se autorët e kësaj veprimtarie kriminale janë shtetasit A. Sh dhe Xh. Sh. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” e kryer në bashkëpunim.