Gjykata Themelore në Prizren, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë ditë, ndaj pesë personave me profesion kamerierë për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “falsifikimi i parasë”.

Sipas gjykatës, “i pandehuri B.B., gjatë muajit tetor deri në fillim të muajit nëntor të vitit 2021, në kohë të pavërtetuar në Prizren është vërtetuar se i njëjti me dashje posedon para të falsifikuara me qëllim të vënies në qarkullim të tyre si të vërteta, në atë mënyrë që përgjatë periudhës së lartpërmendur i shet të pandehurit T.P., 1,250.00 € (Njëmijë e dyqind e pesëdhjetë euro) të gjitha në monedha metalike nga 2 € (dy euro), me qëllim që ky i fundit t’i vë të njëjtat në qarkullim si të vërteta, me ç ’rast i pandehuri T.P., pajtohet që t’i blejë të njëjtat për shumën e parave prej 900.00 € (Nëntëqind euro)

Ndërsa, të pandehurit: T.P., V.Z., L.E., dhe A.P., gjatë periudhës së muajit Tetor deri në fillim të muajit Nëntor të vitit 2021, në intervale të ndryshme kohore, me dashje dhe në bashkëkryerje është vërtetuar se kanë vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta, në atë mënyrë që në cilësinë e punëtorëve si kamarierë në njërin prej lokaleve të gastronomisë në Prizren, paratë e falsifikuara të cilat i pandehuri T.P., i kishte siguruar nga i pandehuri B.B., në intervale të ndryshme kohore i pandehuri T.P., ia dorëzon kolegëve të tij – këtu të pandehurve: V.Z., L.E., dhe A.P., me qëllim që të njëjtit t’i vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta, ashtu që në mënyra periodike marrin nga 100 € të falsifikuara – të gjitha në monedha metalike nga 2 € dhe të njëjtat i vënë në qarkullim si të vërteta në drejtim të klientëve të ndryshëm”, thuhet në njoftimin e gjykatës.