Tridhjetë vitet e domokracisë shqiptare janë shoqëruar me lëvizje të konsiderueshme të shtetasve jashtë kufijve të Shqipërisë, për një jetë më të mirë që s’e krijuan dot këtu, për arsye shkollimi e shumë arsye të tjera që i kanë bërë të marrin këtë vendim.

Sipas raportit të INSTAT për vitin 2020 bazuar në vlerësimet e tërthorta, numri i shqiptarëve të larguar pas vitit 1990 llogaritet të jetë rreth 1,68 milionë shtetas jashtë vendit ose rreth 37% të shtetasve shqiptarë gjithsej.

Të gjithë këta shqiptarë u gëzuan më datën 5 qershor të vitit që lamë pas, pasi qeveria dhe opozita arritën një marrëveshje politike e cila parashikonte realizimin e procesit të votimit për emigrantët shqiptarë. Gjithashtu Kodi i Ri Zgjedhor përfshiu këtë pikë, që zë një peshë të konsiderueshme në numrin total të votuesëve në vend.

Premtime që nuk mbahen

Megjithatë, në prag të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, përpjekjet për të bërë të mundur votimin e diasporës kanë dështuar. Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit s’do të kenë ende mundësinë të votojnë, pavarësisht premtimeve të shumta që ishin bërë nga partitë politike.

Aktet nënligjore nuk u miratuan në kohën e duhur, ndaj shqiptarët e diasporës përveçse jashtë atdheut, do të mbesin sërish edhe jashtë votimeve në Shqipëri. Të gjithë shqiptarët me banim jashtë territorit do të mund të japin votën e tyre për politikanët që duan t’i përfaqësojnë në Kuvend, vetëm nëse paraqiten brenda territorit shqiptar.

Pa u ndalur tek fakti që si fillim s’do të donim që njerëzit të linin Shqipërinë ose të paktën do të donim të ktheheshin sa më shumë shqiptarë në vend, minimalja që mund të bëhet është t’i japim mundësi votimi personave që kanë ikur. Kaq e vështirë është kjo për t’u realizuar? Për cilat arsye votimi i emigrantëve u shty edhe këtë vit? Pse shqiptarët ende s’mund të vendosin për vendin e tyre?

Sa shqiptarë të diasporës pritej të votonin?

Për të marrë vesh se sa pjesëtarë të diasporës pritej të votonin, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dërgoi një letër Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.

Përmes saj, KQZ i kërkoi numër të saktë të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, të ndarë sipas qarqeve që kanë. U kërkua që institucionit të KQZ t’i dërgohej numri i regjistruar në adresën e banimit të përhershëm në vendet ku tashmë jetojnë.

Letra zyrtare mban datën 23 dhjetor dhe është firmosur nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Si do të realizohej procedura e regjistrimit?

Që t’u ofrohej mundësia të votonin, emigrantët duhet të deklaronin në e-Albania adresën që kanë jashtë shtetit. Kjo do të shënohej në Gjendjen Civile krahas adresës që kanë në Shqipëri. Shqiptarët jashtë vendit duhet të hynin më pas në portalin e KQZ-së dhe të dërgonin një kërkesë ku të shfaqnin interesin për të votuar Administrata e Komisionit do të bënte verifikime dhe do të  njoftonte qytetarin jashtë vendit nëse e drejta e tij për të votuar ishte pranuar.

Në këtë rast, ata do të grupoheshin në një regjistër të posaçëm, dhe emri i tyre do të hiqej nga lista e zgjedhësve në Shqipëri. Fletën e votimit, zgjedhësi jashtë vendit do ta shkarkonte online nga faqja e KQZ-së, dhe pasi ta plotësonte, do ta dërgonte përmes postës në Shqipëri.

Që të hynin në e-albania duhej një kartë ID e vlefshme. Mirëpo shumë emigrantë nuk e disponojnë këtë dokument, ose i kishte skaduar deri në fund të vitit.

Sipas ligjit, emigrantët kishin të drejtë të regjistroheshin deri në dy muaj para datës së zgjedhjeve.

Dështimi i debatit

Që para Vitit të Ri, kryetari i KQZ-së dha shenjat e tërheqjes, pasi nga ana e PS-së i kërkohej të hiqte kushtin e deklarimit të vendbanimit nga emigrantët.

Në fund të diskutimit, PS deklaroi tërheqjen nga votimi i emigrantëve.

“Në 25 prill do të votohet siç është votuar në të gjitha zgjedhjet e deritanishme. Kush dëshirojnë nga të gjithë bashkudhëtarët tanë që jetojnë jashtë kufijve duhet të vijë të votojë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ky diskutim që kemi bërë, kjo procedurë që kemi nisur ka të bëjë me zgjedhjet e tjera, me zgjedhjet e vitit 2025. Ne, dje si Parti Socialiste kemi shprehur mendimin tonë për ta realizuar votimin me postë.”

Reagimi i Diasporës

Përfaqësuesi i diasporës në KQZ, Bledar Milaqi në një prononcim televiziv komentoi më herët propozimin e fundit në KQZ të sekretarit të PS-së, Arben Pëllumbi.

Nëse do të ecet me këtë gjykimin e zotit Pëllumbi që i gjithë diskutimi rreth çështjes së votës dhe realizmit të votës së mërgatës shqiptare jashtë vendit do të realizohet në vitin 2025, ky do të jetë një dështim i madh dhe flas si qeveri”, tha ai.

Zoti Milaqi nënvizoi më tej se sugjerimi i tyre është që emigrantët të votojnë me postë.